Mehmeti: Kuvendi duhet të kërkojë ndihmën e britanikëve për zgjedhjen e bordit të RTK-së

Në emisionin në KALLXO.com në të cilin po diskutohet me gjendjen e transmetuesit publik, RTK, hulumtuesi i Institutit ‘GAP’, Jeton Mehmeti, tha se për këtë institucion duhet një ligj i ri për të cilin ende nuk është bërë vonë.

Mehmeti ka folur edhe për dy aspekte të cilat sipas tij duhet pasur parasysh për një funksionim sa më të mirë të  RTK-së.

“Sikur ta kishim bërë një ligj ashtu siç duhet, i cili akoma ka kohë dhe mund të bëhet ashtu siç duhet, unë besoj që gradualisht mund të dalim nga kjo situatë. Janë dy aspekte shumë me rëndësi, është ai financiar që do të duhej të gjendej një formulë që e lidhë mediumin publik me publikun sepse kemi një shkëputje goxha të madhe dhe është ajo që bordi duhet të jetë më vigjilent, i guximshëm dhe të kërkojnë më shumë transparencë nga menaxhmenti”, tha ai.

Hulumtuesi i GAP-it për KALLXO.com ka thënë se me kapacitetet financiare që i ka RTK-ja do të duhej të ishte shembull i gazetarisë në Kosovë.

“Në bazë të studimeve tregu i reklamave në Kosovë është rreth 15 milionë euro. Sa për krahasim, vetëm mediumi publik ka buxhetin 12-13 milionë euro, përderisa 15 milionë të tjera të gjithë mediat e tjera duhet të luftojnë për të siguruar mbijetesë financiare, transmetuesi publik i ka të gatshme këto dhe me gjithë këtë buxhet financiar që e ka, ka ngecur që të jetë model i gazetarisë së mirëfilltë dhe ka ngecur në procesin e digjitalizimit që është shumë me rëndësi”, tha ai.

 

Tutje Mehmeti ka theksuar nevojën që procesi i rekrutimit në këtë institucion të bëhet nën mbikëqyrjen e britanikëve, pasi që sipas tij bordi duhet të përbëhet nga ekspertë të fushës e jo militantë partiakë.

“Është Kuvendi i cili duhet të kërkojë llogari nga bordi sepse bordi është ura lidhëse, anëtarët e bordit nuk duhet të jenë figura të lidhura me politikën por duhet të jenë njerëz profesionistë të fushës. Kisha sugjeruar që Kuvendi ti kërkojë ndihëm e Ambasadës britanike për të zgjedhur bordin e ardhshëm të RTK-së”, theksoi Mehmeti.

Në emisionin e sotëm përveç Mehmetit është i ftuar edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të RTK-së, Fadil Hoxha i cili flet për parregullsitë në këtë institucion.

Ndërsa në pjesën e dytë të emisionit do të mund të ndiqni intervistën me Ulrika Richardson Koordinatore e agjencive të OKB-së në Kosovë.