Fehmi Mehmeti, guvernator i BQK. Foto: KALLXO.com

Mehmeti flet për mandatin e tij 5 vjeçar në krye të BQK, nuk komenton eliminimin e tij nga gara edhe për një mandat tjetër

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, në një konferencë për media, ka folur për mandatin e tij 5 vjeçar në krye të BQK-së.

Mehmetit i përfundon mandati këtë muaj, ndërsa ai nuk ka pranuar të komentojë faktin se është eliminuar nga gara edhe për një mandat tjetër 5 vjeçar.

Mehmeti ka thënë se çështja e eliminimit i përket panelit, duke deklaruar se respekton çfarëdo vendimi.

“Kjo çështje i përket panelit, është çështje që i përket Komisionit për Buxhet dhe Financa, Kuvendit të Kosovës, presidentes dhe kështu me rend. Unë çfarëdo vendimi që merret qoftë prej panelit, qoftë prej Kuvendit, qoftë prej presidencës gjithmonë jam për ta zbatu dhe respektu” – ka thënë Mehmeti.

Ai tha se përgjatë 5 viteve, BQK-ja nën udhëheqjen e tij ka arritur që të mbush rolin e vet kushtetues dhe ligjor.

“Sistemi financiar në vend gjatë kësaj periudhe 5 vjeçare është karakterizuar me zhvillime shumë pozitive dhe rritje të vazhdueshme në gjithë indikatorët e saj. Sektori bankar në Kosovë gjatë kësaj periudhe ka shënuar rritje të vazhdueshme, si në numër të institucioneve e njëkohësisht rritje të aktivitetit të tij si sektor” – tha Mehmeti.

Ai bëri të ditur se nga 10 banka sa kanë qenë në vitin 2018, në Kosovë aktualisht janë 12 banka.

Sipas Mehmetit, gjatë periudhës 2018 deri në vitin 2022, sektori bankar në Kosovë ka arritur të ketë rritje të aseteve për 2.6 miliardë euro, apo një rritje prej 61.%.

“Në kontekstin kohor 2018 – 2022 niveli i kredive aktive u rrit për 1.6 miliardë euro apo për një rritje prej 57.9%. Rritja e theksuar e kredive nuk ka ndikuar në rritjen e kredive jo performuese që në fund të vitit 2022 niveli i kredive jo performuese shënoj 2% që është i krahasueshëm me sistemin bankar në BE” – ka thënë ndër të tjera Mehmeti para gazetarëve.

Shkëndije Himaj, Ahmet Ismaili, Lulzim Ismajli dhe Nexhat Kryeziu janë kandidatët në listën e ngushtë për pozitën e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Himaj, Ismaili, Ismajli dhe Kryeziu janë zgjedhur nga komisioni vlerësues në përbërje prej Flamur Mrasori, Nora Latifi Jashari dhe Bashkim Nurboja anëtarë të bordit të BQK-së. Ky proces është monitoruar edhe nga ekspertët britanik.

Lista e ngushtë për Guvernator të BQK-së, diskutime mes opozitës dhe komisionit vlerësues