Mehmeti: ATK ka zbuluar evazion të madh fiskal në lokalet e hotelerisë
Taskë Forca e Administratës Tatimore (ATK) ka bërë kontrolle në shumë biznese për të shmangur evazionin fiskal në regjione të ndryshme të Kosovës.
Murat Mehmeti nga ATK-ja, ka bërë të ditur për “KallxoPërnime”, se nga 1 korriku e deri më tani janë vizituar 106 subjekte, kryesisht të veprimtarisë hotelerike, kafiteri e lokale nate (diskoteka).
Ai ka thënë se nga 106 subjekte e vizituara- në 97 prej tyre janë gjetur shkelje të rënda ligjore, mosdeklarim i të hyrave. Ndaj këtyre subjekteve janë shqiptuar gjoba.
“Nga 106 subjekte e vizituara te 97 prej tyre janë gjetur shkelje të rënda ligjore, ndaj të cilave janë shqiptuar gjoba. Në total numri i gjobave arrin në 2 460 gjoba mandatore, që në total i bie se baza e ndëshkimit është 848 150 euro”- ka thënë Mehmeti.
Ai ka thënë se inspektimet në terren tregojnë se ka një evazion të madh fiskal.
“98% për qind e bizneseve i shmangen aq shumë detyrimeve tatimore, aq shumë i fshehin të hyrat që i gjenerojnë, veçmas pjesa më e dhimbshme është TVSH-ja si tatim indirekt, sepse atë e marrin nga klientët e tyre. Dhe, efektet e tyre ndikojnë edhe tek konkurrenca edhe tek bizneset që janë të përpiktë. Pra, janë duke iu shmangur detyrimeve tatimore, ose duke fshehur të hyrat reale që i gjenerojnë gati 90 ose 80% për qind”- tha ai gjatë emisionin ‘Kallxo Përnime”.
Mehmeti ka deklaruar se gjobat e shqiptuara ndaj bizneseve janë në vlerë deri 40 mijë euro.
“Shumica e gjobave mund të them, 70% të gjobave të shqiptuara janë 40 mijë euro, nëse paguan brenda 2 javë dite- 15 ditësh, atëherë paguan vetëm gjysmën, d.m.th., i paguan 20 mijë”- tha ai. Sipas tij, bizneset që janë gjobitur janë restorante të mëdha dhe diskoteka.
Mehmeti ka thënë se një gjendje e tillë është në gjithë Kosovën, por situata më alarmante është në regjionin e Prizrenit dhe Ferizajt, sidomos te restorantet malore- turistike, ku është vërejtur një evazion i madh fiskal. Por, sipas tij një gjendje e tillë është edhe në qytete tjera, si në Vushtrri dhe Pejë.
Ai ka thënë se bizneset duhet të jetë të përgjegjshme, pasi pas gjobës së tretë sipas ligjit të ri, mund të mbyllen. Ndërsa, mund të rihapen vetëm pasi e paguan gjobën. Mehmeti ka theksuar se mosdeklarimi i të hyrave nga ana e bizneseve kryesisht bëhet në orët e mbrëmjes, pas orës 18:00, 20:00 deri në mesnatë.