Mehmet Kraja: Në Kosovë edhe çerdhet janë të politizuara

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja në prezantimin e platformës për rimëkëmbjen e arsimit në Kosovë, tha se ndër vite askush nuk ka marrë përgjegjësi për nivelin e dobët të arsimit në vend.

“Gjendja në arsim nuk mund të tejkalohet as me individë, as më grupe të interesit, as me ekspertë, por nëse e arrijmë vetëdijen në atë nivel që marrin përgjegjësinë personat. Askush nuk e bënë një gjë të tillë, as institucionet, as subjektet nuk marrin përgjegjësi për ndërhyrjet brutale që nga legjislacioni deri tek ndikimi në institucione”, tha Kraja.

Sipas tij, në vend nuk janë vetëm universitetet e politizuara, por edhe çerdhet.

“S’kemi vetëm universitete të politizuara, por edhe çerdhet që nga drejtori e deri tek punësimi i edukatorëve. Por, askush s’merr përgjegjësi për këtë. Të gjithë e dinë që në arsimin e lartë dhe të mesëm ka korrupsion, por s’merr përgjegjësi askush për situatën e krijuar dhe tani është koha që ta ndalim këtë trend!”, tha Kraja.

Ndërsa, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se Qeveria e ka guximin dhe vendosmërinë që t’i zbatojë rekomandimet që janë dhënë në kuadër të kësaj platforme të përgatitur nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

“S’dua të flas se sa e rëndë është gjendja në arsim e as ndërhyrjet partiake, por sot është koha që pasi të pranojmë këtë përgjegjësi të angazhohemi bashkërisht për përmirësimin e sistemit”, tha ajo.

Platforma e prezantuar nga ana e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës për rimëkëmbjen e arsimit në Kosovë ka për qëllim të ofrojë një perspektivë gjithëpërfshirëse të sfidave emergjente për sistemin e arsimit.

Platforma është produkt i komunitetit akademik, institucioneve shtetërore, komunitetit të biznesit dhe shoqërisë civile, të cilët kanë paraqitur situatën aktuale të sistemit arsimor në të gjitha nivelet si dhe kanë dhënë rekomandime se çfarë duhet përmirësuar për secilin nivel.

Në përpilimin e kësaj platforme kanë marrë pjesë Justina Shiroka-Pula, Lindita Aliu-Tahiri, Dukagjin Pupovci, Blerim Rexha dhe të tjerë.

Disa nga rekomandimet e kësaj platforme të Akademisë janë:

  1. Të instalohet sistemi i mirëfilltë i përgjegjësisë dhe llogaridhënies në të gjitha nivelet, përfshirë institucionet arsimore, pushtetin lokal dhe institucionet qendrore.
  2. Të ndërtohet sistemi efektiv dhe llogaridhënës i financimit i bazuar në parimet e menaxhmit të mirë të parasë publike.
  3. Të vendosen standarde të larta kurrikulare të arritjes që sigurojnë zhvillimin jo vetëm të shkathtësive specifike që kërkon nga tregu i punës, por edhe të kompetencave personale.
  4. Të sigurohen tekste shkollore cilësore etj.