
Foto: Armend Mehaj/Facebook
Mehaj viziton Zyrën e Interesave të Kosovës në Athinë
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka vizituar Zyrën e Interesave të Kosovës në Athinë dhe më pas edhe Ambasadën e Shqipërisë në Greqi.
Mehaj përmes një postimi në Facebook ka thënë se gjatë vizitës së tij të parë është njoftuar nga i ngarkuari në detyrë, Fitim Gllareva për aktivitetet e zyrës.
“Me të përfunduar takimet me krerët e shteteve pjesëmarrëse në forum, sot vizitova Zyrën e Interesave të Kosovës në Athinë, ku u mirëprita nga i ngarkuari me punë Fitim Gllareva. Nga ai u njoftova për aktivitetet e zyrës” – ka thënë Mehaj.
Kjo zyre sipas ministrit, ka rëndësi të veçantë për koordinime me institucionet e Greqisë dhe tha se e falënderoi Gllarevën për angazhimin e tij dhe të ekipit të kësaj zyre.
Pas kësaj vizite, Ministri Mehaj së bashku me Gllarevën vazhduan tek Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi ku u pritën nga ambasadorja Luela Hajdaraga.
Më këtë të fundit Mehaj tha se diskutuan për disa nga temat e rëndësishme për sa i përket angazhimit të përbashkët Kosovë-Shqipëri, në raport me politikën e jashtme.
I pari i Ministrisë së Mbrojtjes tha se ishte kënaqësi të shoh bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Zyrës së Interesave të Kosovës dhe Ambasadës së Shqipërisë.
Greqia është në mesin e pesë vendeve anëtare të BE-së që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.