Raportimi i ministri të Mbrojtjes Armend Mehaj në Komision, Foto: KALLXO.com

Mehaj raporton në Komision parlamentar, flet për blerjet e pajisjeve ushtarake të FSK-së

Në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes është duke raportuar ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj.

Ai tha se në Forcën e Sigurisë së Kosovës, 120 aktivitete janë mbajt për 8 muaj.

Mehaj ka përmendur disa pika për të cilat do të raportoj siç është rritja e kapaciteteve te FSK sa ju përket burimeve njerëzore dhe pajisjeve ushtarake.

Ndërsa ka kërkuar që në disa pika të ketë raportim të  mbyllur.

Mehaj tha se sa i përket rritjes së kapaciteteve, kanë bërë blerje ushtarake.

“Në total për tetë muaj vlera e pajisjeve të blera është 32 milion euro. Autoblinda lloje armatimi snajperë, dron dhe pajisje tjera që s’mundem m’i përmend në seancë të hapur për publikun… Sa i përket rekrutimeve ende pa u bërë viti si ministër kemi arrit me rrit numrin e pjesëtarëve me rreth 1240 pjesëtar”, tha Mehaj.

Sipas tij për rekrutët e ri do të jetë transparent në proces prej A deri në Zh.

“Kemi kërkuar rritjen e buxhetit. Ka pas shkurtime të buxhetit mbi 8 milion euro. Tani për FSK janë ndarë 103 milion që i bie rritje rreth 50 për qind”, tha ai.

Mehaj tregoi se janë duke punuar edhe në rishikimin të ligjeve të cilat sipas tij shumë shpejtë do ti dërgojnë në qeveri për miratim.

Mehaj ka përmendur edhe pjesëmarrjen e Kosovës në ushtrimin Defender europe2021.

“330 pjesëtar të FSK-së kanë marr pjesë në këtë ushtrim”, tha Mehaj duke shtuar se kanë marr konfirmim që Kosova do të jetë nikoqir i defender2023.

“Kjo dëshmon bashkëpunimin e ngushtë që e kemi me ShBA. Kurrë më shumë s’kemi pas bashkëpunim me ShBA sesa që kemi sot”, tha ministri Mehaj.

Mehaj tha se kanë mbështetur NATO-n në evakuimin e afganëve dhe se janë ende mbështetës të këtij operacioni.

Ministri shtoi se rrugëtimi i Kosovës është në drejtim të NATO-s.