Mehaj: Projektligjet për Policinë Ushtarake të FSK-së dhe Komisionerin Parlamentar përmbushin objektivat Euro-Atlantike

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj ka vlerësuar se janë duke u përmbushur objektivat për plotësimin e standardeve Euro – Atlantike të Kosovës dejtë rrugës për anëtarësim në NATO.

Këtë vlerësim Mehaj e bëri pasi në Kuvendin e Kosovës u miratua në shqyrtim të dytë Projektligji për Policinë Ushtarake në Forcën e Sigurisë së Kosovës si dhe shqyrtimi i parë për Komisionerin Parlamentar.

“Një ushtri e mirorganizuar është ajo ushtri që ka mekanizma të brendshëm funksional rregullues dhe mbikëqyrës të punës. Në kuadër të kësaj, për ushtri të disiplinuar dhe për pjesëtarë shërbimi i të cilëve ndaj atdheut vlerësohet, gjatë seancës së sotme parlamentare u votua shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Policinë Ushtarake në Forcën e Sigurisë së Kosovës si dhe shqyrtimi i parë për Komisionerin Parlamentar”, shkroi Mehaj në rrjetin social Facebook.

Sipas Mehajt, këto dy projektligje janë vazhdimësi e punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Kuvendit për të përmbushur objektivat të një ushtrie që plotëson standardet Euro-Atlantike, e vendosur drejt rrugës për anëtarësim në NATO.

Kuvendi miraton ligjin për Policinë Ushtarake të FSK-së