Mehaj: Nuk ka trend të largimit të ushtarëve, por as nuk mund t'i ndalim

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj në Komisionin për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes është pyetur nga deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci për ekzistimin e mundshëm të një trendi të ushtarëve që po lëshojnë vendin dhe kushtet që duhet ofruar atyre që mos të largohen nga Kosova.

Mehaj deklaroi se përqindja e largimit të ushtarëve është e përafërt me ushtritë e shteteve partnere.

Krahas kushteve që duhet ofruar, Mehaj tha se ushtarët duhet të kenë banesën e vetë, por edhe kopshtin e fëmijëve afër kazermës. Për të gjitha kushtet ai deklaroi se janë duke i harmonizuar që të jenë të përafërta me ato të vendeve partnere.

“Nuk ka aq shumë qysh po përfolët, trendi është i njëjtë jo vetëm tek ne. Njerëzit shkojnë e vijnë, nuk janë të kufizuar. Nuk kemi as ligje për me i ndalë. Për mua, kurrë nuk është mjaftë as për një polic as për një ushtar që të kenë kushtet. Ata duhet mbajtur sikur pëllumba. E shoh se në të ardhmen ata duhet me pas banesën e vetë, por edhe çerdhen e fëmijëve afër kazermës jo vetëm sigurimi shëndetësor por ka shumë elemente që ne duhet me i përmbush si në vitin 2022 është dashtë me kanë të gatshme, por na i kemi harmonizuar edhe me shtetet partnere që t`i kemi edhe na si të përafërta”, u shpreh Mehaj.

Mehaj mes tjerash bëri të ditur se janë duke planfikuar që të hapin edhe një konkurs të ri.

Ministri Armend Mehaj është duke e vazhduar raportin para anëtarëve të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.