Mehaj: Në Mitrovicë niveli i ujit po bie dhe gjendja po qetësohet

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, njofton se situata me vërshimet në vend është nën kontroll dhe se ushtarët po u dalin në ndihme qytetarëve.

Ai thotë se tani gjendet në Mitrovicë, ku është takuar me kryetarin e kësaj Komune, Bedri Hamza.

Mehaj nga Mitrovica ka thënë se niveli i ujit po bie dhe gjendja po qetësohet.

“Situata me vërshime në vendin tonë  është nën kontroll, me gjithë vështirësitë në terren ushtarët tanë me sukses po iu dalin në ndihmë qytetarëve tanë. Tani gjendem në Mitrovicë, u takuam me kryetarin e komunës, z. Bedri Hamza me të cilin diskutuam për masat që duhet të ndërmarrim, lajme të mira nga terreni ku niveli i ujit po bie dhe gjendja po qetësohet”- ka shkruar Mehaj.

Ministri thekson se të gjitha forcat janë në ndihmë dhe dispozicion të qytetarëve në Skenderaj, Istog, Klinë duke shtuar se shpreh gatishmëri në rast nevoje edhe për komunën e Junikut.

“Gjithashtu, forcat tona janë në ndihmë dhe dispozicion të qytetarëve në Skenderaj, Istog dhe Klinë, gjithashtu e njoftova kryetarin e Komunës së Junikut që në rast nevoje jemi në gatishmëri të plotë. Ushtria jonë është këtu për ju”- është shprehur Mehaj.

Vërshimet kanë prekur disa komuna, përfshirë këtu Pejën, Skenderajn, Drenasin, Mitrovicën e të tjera, ku disa prej tyre edhe kanë shpallur edhe gjendje emergjente.

Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se kanë ngritur gatishmërinë shtetërore me rastin e vëshimeve që kanë ndodhur sot.

Përmes një komunikate për media është njoftuar se Agjencioni i Menaxhimit Emergjent në kuadër të MPB-së në koordinim me Iinstituin Hidrometorologjik të Kosovës ka marrë të gjitha masat e nevojshme duke ngritur nivelin e gatishmërisë në të gjitha komunat.