Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Mehaj në Komisionin parlamentar: Ministria e Mbrojtjes në përditshmëri ka kontakte me NATO-n

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj është duke raportuar para Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Mehaj tha se njëra ndër strategjitë e vendit është pjesëmarrja në forume ndërkombëtare dhe vizitat në shtetet të ndryshme.

Ministri i Mbrojtjes theksoi se deri më tani janë nënshkruar 15 memorandume dhe tre marrëveshje ‘sofa’.

“Një nder objektivat e mia si ministër është anëtarësimi në organizata ndërkombëtare. Strategjia jonë është identifikimi  dhe pjesëmarrja në forume ndërkombëtare. Vizitat e mia në shtetet e NATO-s janë shfrytëzim për të mirën e shtetit. 15 memorandume dhe 3 marrëveshje sofa janë nënshkruar deri më tani ndërsa me Poloninë dhe Kroacinë jemi në tentim e sipër.

Mehaj ka shtuar se në përditshmëri Ministria e Mbrojtjes ka kontakte me NATO-n dhe institucionet e saj.

“Ministria e Mbrojtjes merre pjesë në të gjitha takimet e A5, takimi i radhës është javën tjetër. Në mbështetje të SHBA, FSK ka kryer me sukses misionin e parë jashtë vendit si dhe ushtrime Defender shumëkombëshe”, tha ai gjatë raportimit.

Ministri shtoi se FSK është e gatshme të ofrojë siguri edhe jashtë Kosovës ndërsa shtoi se një ndër synimet e tij është edhe përgatitja e projektligjit për dërgimin jashtë vendit të FSK-së.

Ai njoftoi se deri më tani janë rreth 127 pjesëtarë të FSK-së që janë duke kryer shkollime dhe trajnime jashtë vendit.