Mehaj: NATO i duhet Kosovës, Kosova i duhet NATO-s

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj pas vendimeve nga samiti i NATO-së në Madrid të Spanjës tha se Kosova dhe NATO janë “natyrshëm të bashkuara”.

Përmes një postimi në Facebook ai theksoi se ‘Republika e Kosovës, institucionet, populli dhe ushtria e saj besojnë në vlerat euratlantike dhe garantueses së saj – NATO-së’.

“Koha për Konceptin e ri strategjik të NATO-s; Koha për plan afatgjatë në sfidat e sigurisë në dimensionin global, si dhe përcaktimin dhe realizimin e plotë të detyrat politike dhe ushtarake të NATO-s dhe  Koha për të emëruar qartë kërcënuesit afatgjatë për të gjithë zonën euro-atlantike, aty ku natyrshëm është edhe Kosova dhe populli i saj”, janë disa nga vendimet nga Samiti i NATO-së  të publikuara  nga ministri Mehaj.

Pas pushtimit rus të Ukrainës, institucionet e Kosovës kanë kërkuar në vazhdimësi që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s si mundësi për parandalim të destabilizimit të mundshëm në Ballkanin Perëndimor.