Foto: Facebook/Armend Mehaj. 27.02.2022

Mehaj kërkon prezencë më të madhe të KFOR-it në veri

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj gjatë një takimi me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ferenc Kajar, ka kërkuar prezencë më të madhe të trupave të KFOR-it në veri të vendit.

“Me qëllim të koordinimit të ngushtë me KFOR-in, pas agresionit ushtarak të Rusisë mbi Ukrainën, në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it, jam takuar me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor, Ferenc Kajar.Me këtë rast, kërkova prezencë më të madhe  të trupave të KFOR-it në pjesën veriore të Kosovës dhe përforcim më të madh të kontingjentit të saj”, ka njoftuar Mehaj në një postim në Facebook.

Mehaj tha që me Gjeneral Kajar u pajtuam që të rritet koordinimi në mes institucioneve të sigurisë së vendit dhe KFOR-it , si dhe që të shtohen kapacitetet dhe vigjilenca në gjithë kufirin e vendit.

“Tendencat destabilizuese të Rusisë dhe satelitëve të saj ndaj vendit tonë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor tashmë janë të qarta dhe atyre do t’i kundërvihemi së bashku me aleatët tanë”, tha më tej Mehaj.

Zhvillimet e fundit në Ukrainë janë se forcat ruse kanë hyrë në Harkiv, qytetin e dytë më të madh në Ukrainë.

Gjatë ditës së djeshme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Komisioni Evropian, Franca, Gjermania, Italia, Kanada njoftuan se kanë marrë vendim që t`i përjashtojnë nga sistemi SWIFT disa banka të përzgjedhura të Rusisë.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit. Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.  Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.