Foto: Armend Mehaj/Facebook

Mehaj: Jemi të gatshëm të trajnojmë trupat ukrainase dhe polake në fushën e deminimit dhe kërkim-shpëtimit

Në vazhdën e takimeve me përfaqësuesit e shteteve pjesëmarrëse në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka takuar Shefin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Polonisë, gjeneral Rajmund T. Andrzejczak.

Sipas Mehajt, me të është biseduar rreth çështjes aktuale të sigurisë, ndikimit që në këtë mes ka agresioni rus ndaj Ukrainës, dhe po ashtu për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës e Polonisë në nivel ushtarak.

“Përmes trajnimeve të përbashkëta të dy ushtrive dhe bashkëpunimit në fusha të tjera, të cilat së shpejti do t’i definojmë përmes nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet shteteve tona” – ka thënë Mehaj.

I pari i mbrojtjes ka thënë se ka njoftuar gjeneralin polak për gatishmërinë për të trajnuar trupat ukrainase dhe polake në fushën e deminimit, të kërkim-shpëtimit, dhe po ashtu gatishmërinë që ka Kosova për të dërguar trupa të specializuar në fushën e shëndetësisë, për të mbështetur Poloninë dhe refugjatët ukrainas, që aktualisht janë të strehuar në këtë shtet.

“Meqenëse jemi në proces të përgatitjeve si vend nikoqir i ushtrimit fushor, “Defender 2023″, ftova gjeneralin që Polonia të jetë pjesëmarrëse në cilësinë e vëzhguesit dhe të njoftohet nga afër për kapacitetet profesionale dhe operacionale të FSK-së” – ka shkruar ministri Mehaj në Facebook.