Mehaj: Jemi gati ta ndihmojmë Greqinë në betejën me zjarret

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, ka bërë të ditur se në një bisedë telefonike me shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Greqisë në Kosovë, i ka shprehur gatishmëri për të mbështetur shtetin grek në menaxhimin dhe tejkalimin e zjarreve që po ndodhin ditëve të fundit.

“Në bisedën e sotme telefonike me shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Greqisë në Kosovë, Chryssoula Aliferi, i shpreha gatishmërinë dhe vullnetin tonë të plotë për të mbështetur institucionet greke me aftësitë dhe kapacitetet tona operacionale në disponim për menaxhimin, tejkalimin dhe sanimin e gjendjes së krijuar nga zjarret e ditëve të fundit”, njofton Mehaj.

Ai ka theksuar se bashkëpunimi rajonal në përballje me kërcënimet dhe rreziqet nga faktorët e ndryshëm, është nevojë e pashmangshme për të gjitha vendet e rajonit tonë dhe më gjerë.

“Kërcënimet dhe rreziqet nga faktorët e ndryshëm në realitetin e sotëm, përcaktojnë faktin se, fryma e bashkëpunimit rajonal në parandalimin, menaxhimin, reagimin dhe rimkëmbjen pas pasojave të tyre, është nevojë e pashmangshme për të gjitha vendet e rajonit tonë dhe më gjerë”, ka thënë Mehaj.