Mehaj: FSK e MM, krejt të vaksinuar

Ministria e Mbrojtjes realizon 100% dhe FSK realizon 99% të vaksinimit të personelit ushtarak dhe civil të saj. Kështu ka njoftuar sot ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.

Ministri Mehaj e ka quajtur këtë një proces të realizuar me sukses të plotë.

“Nga përgjegjshmëria e lartë institucionale për shëndetin e zyrtarëve dhe ushtarakëve tanë; Nga parimi ushtarak “Udhëheq dhe vepro me shembull”; Nga përgjegjësia kushtetuese e ligjore që kemi ndaj vendit dhe qytetarëve tanë; Me qëllim të realizimit sa më të suksesshëm të reagimit dhe mbështetjes direkte për qytetarët tanë ndaj virusit Corona, këtij armiku të rrezikshëm e të paparashikueshëm, si dhe me qëllim të përmbushjes sa më të suksesshme të misionit të mbështetjes ushtarake të autoriteteve civile”, ka shkruar Mehaj.

Mehaj ka thënë se secili zyrtarë dhe ushtarakë ka qenë i vetëdijshëm për rëndësinë e madhe që ka realizimi i këtij procesi, sikur edhe 1% i mbetur që pritet të realizojë në ditët në vazhdim.