FSK - Foto: Atdhe Mulla

Mehaj: Ekziston një vullnet i jashtëzakonshëm për të dhënë donacione për Ushtrinë

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka shprehur falënderim për të gjithë ata që kanë dhënë donacione për Ushtrinë e Kosovës.

Mehaj përmes një videoje të postuar në Facebook ka thënë se ekziston një mobilizim dhe vullnet i jashtëzakonshëm për të dhënë donacione për ushtrinë e vendit.

I njëjti ka thënë se hapja e Fondit të Sigurisë do të jetë në shërbim të institucioneve të sigurisë së vendit.

Sipas tij, forcimi i ushtrisë është i vështirë të bëhet më buxhetin ekzistues.

“Është e domosdoshme që Ushtria e Kosovës të forcohet. Është e vështirë ta bëjmë këtë vetëm me buxhetin që e kemi. Për ta bërë këtë kemi hapur ’Fondin e Sigurisë’”, është shprehur Mehaj.

Tutje ai ka treguar se ky donacion do të jetë i çmueshëm dhe i pazëvendësueshëm.

Mehaj ka thënë se Fondi i Sigurisë do të menaxhohet nga Ministria e Financave me transparencë dhe llogaridhënie të plotë.

“Atdheu ynë ka nevojë për ne, jam i bindur që do t’i përgjigjemi pozitivisht siç kemi bërë gjithmonë”, është shprehur i pari i Ministrisë së Mbrojtjes.