Mehaj dekoron kolonelin Rajko Peric me medaljen “Shërbim i shquar” për angazhimin në aksidentin në Kroaci

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka dekoruar sot kolonel Rajko Peric me medaljen “Shërbim i shquar” si shenjë mirënjohje për angazhimin e jashtëzakonshëm në menaxhimin e aksidentit tragjik të autobusit me qytetar nga Kosova, që ndodhi javën e kaluar në Kroaci.

Mehaj falënderoi kolonelin Peric edhe për angazhimin dhe përkushtimin e lartë në këshilldhënie profesionale për stafin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Gjithashtu ai theksoi mirënjohjen e thellë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e fuqishëm me shtetin mik kroat të dëshmuar edhe në rastin e fatkeqësisë në Kroaci.

Po ashtu Mehaj tha se kolonel Peric ka vazhduar angazhimin edhe në koordinimin e mbështetjes së mundshme nga autoritetet kroate në menaxhimin e zjarreve në vendin tonë.

Përmes një postimi në “Facebook” ndër të tjera Mehaj tha se kolonel Peric ka përshtypje të veçanta dhe admirim për të arriturat e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes e FSK dhe vizionin e saj për të ardhmen.

Më 25 korrik në Slavonski Brod të Kroacisë, një autobus me udhëtar që po vinin nga Gjermania për në Kosovë u aksidentua, nga ku për pasojë mbetën të vdekur dhjetë persona.