Mehaj: Blerjet ushtarake do të bëhen shtet me shtet, jo përmes kompanive  

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj deklaroi se ka kërkuar të bëhet një auditim i brendshëm që të shikohen të gjitha kontratat për blerjet të cilat janë kryer me kompani të ndërmjetësuara.

Sepse sipas tij, në këso rrethanash blerjet po janë më të kushtueshme për buxhetin e shtetit.

Si rrjedhojë Mehaj thotë se shumë shpejtë kontrata do të zhvillohen shtet me shtet dhe jo me kompani.

“Unë kam kërku një auditim të brendshëm të shikohen të gjitha kontratat sepse prej blerjeve shtet me shtet e kemi pa një leverdi se është shumë me madh pasi nuk prodhohen në Kosovë. Po në këtë rast pasi nuk prodhohen në Kosovë, atëherë çdo kompani është ndërmjetësuese e ajo të kushton më shtrenjtë, por po punojmë shumë shpejt të që të gjitha kontratat që shkojnë shtet me shtet. Por janë disa kontrata që janë nënshkruar shumë më herët para se me ardhur na”, tha Mehaj në komisionin për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes.

Deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci pyeti ministrin Mehaj se a janë të vërteta raportimet se dronët janë blerë deri në pesëfish më të shtrenjtë.

“A janë blerë me çmim më të shtrenjtë në bazë të asaj që ki informacione. Sepse ka pas raportime në media se janë blerë 4-5 fish më shtrenjtë të gjitha kategoritë në vitet e tjera” pyeti ai sërish.

Mehaj duke mos u ndalur në numra e shifra, tha se ka diferencë shumë të madhe.

“Ne e dim se përmes kontratave, se tash e bëmë përvojën shtet me shtet në dhjetor, kur janë shiku me ato që janë blerë ka diferencë, ka goxha diferencë. Për këtë jemi përkushtu që edhe ushtria që duhet me pasë”, tha Armend Mehaj.