Liburn Aliu dhe Armend Mehaj. Foto: KALLXO.com

Mehaj: Aeroporti i Gjakovës do të funksionalizohet për qëllime të mbrojtjes, SHBA partner që do të investojë

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se Aeroporti i Gjakovës do të funksionalizohet për qëllime të mbrojtjes, do t’i shërbejë Ushtrisë së Kosovës, ndërsa Shtetet e Bashkuara do të jenë partner që do të investojnë në këtë projekt.

Në një konference për media të mbajtur bashkë me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliun, Mehaj foli për dy projekte që do të zhvillohen në rajonin e Gjakovës.

“Aeroporti i Gjakovës po funksionalizohet për qëllime të mbrojtjes. Në Babaj të Bokës do të shndërrohet një zonë operacionale të FSK-së në të cilën do të ndërtohen poligone taktike moderne sipas standardeve të NATO-s” – tha Mehaj.

Mehaj tha se bëhet fjalë për investime milionëshe, që Ushtria e Kosovës do të ketë të gjitha kushtet që të zhvillojë ushtrime me kapacitete të plota.

“Poligonet taktike në Babaj të Bokës do të jenë moderne të dizajnuara dhe projektuara nga oficerët tanë kompetent, të cilët do të ndërtohen sipas standardeve të ushtrisë amerikane. Ndërsa Aeroporti i Gjakovës planifikohet ndërtimi i objekteve të ndryshme me qëllime operacionale për ushtrinë e Kosovës, në të cilët do të investohet në mënyrë direkte edhe nga partneri jonë strategjik SHBA-së” – ka bërë të ditur ai.

Ndërsa ministri Liburn Aliu, tha se ministria e tij me kërkesë të Ministrisë së Mbrojtjes, për arsye të interesit nacional strategjik, ka bërë shpronësimet në këto zona.

“Bëhet fjalë për pronat që preken nga ndërtimi i poligoneve të trajnimeve për nevojat e ushtrisë së Kosovës në zonat Babaj i Bokës, Shishman, Popoc, Ponoshec dhe Devë të Komunës së Gjakovës. Dhe projekti tjetër që gjendet në zonat e Aeroportit të Gjakovës që prek zonat Bec, Trakaniq dhe Janosh të Komunës së Gjakovës” – tha Aliu.

Ai gjithashtu bëri të ditur se deri më tani pagesat për shpronësimet për personat privat që kanë aplikuar për pagesë, janë kryer në shumën prej 9.4 milionë euro.