Foto: Behgjet Pacolli/Twitter

Megjithatë, Behgjet Pacolli e falënderon Xhamajkën

Ish-ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli ka reaguar pas raportimit se shteti i Xhamajkës nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, duke u demantuar kështu njoftimi i Presidentit Hashim Thaçi.

Pacolli  përmes një publikimi në Twitter ka shkruar se Kosova dhe kosovarët do të mbesin përgjithmonë miq të besuar të qeverisë dhe popullit të Xhamajkës, si dhe e ka falënderuar këtë shtet.

“Sidoqoftë, faleminderit Xhamajka, faleminderit ministre Kamina J. Smith, faleminderit SHBA, Eliot Engel. Kosova dhe kosovarët do të mbesin përgjithmonë miq të besuar të qeverisë dhe popullit të Xhamajkës”, ka shkruar Pacolli.

Mediat vendore, duke iu referuar një publikimi në Twitter kane raportuar se Kamina J. Smith, ministrja e Jashtme e Xhamajkës, ka reaguar mëngjesin e sotëm duke thënë se vendi i saj nuk e ka njohur Kosovën.

“Deri më sot, Xhamajka nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur”, thuhet në atë publikim.

Lajmi për njohjen e Xhamajkës është bërë i ditur mbrëmë, ndërsa kreu i shtetit Hashim Thaçi i dha meritat ambasadores Vlora Çitaku dhe senatorit amerikan Eliot Engel.

Njohja ishte përshëndetur nga krerët institucionalë të Kosovës.

Edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti si dhe ministri i Jashtëm Glauk Konjufca i është gëzuar lajmit për njohje.