Mëditjet e delegacionit të Kosovës në ShBA, për 6 ditë më shumë se një rrogë mesatare në vend

Një delegacion prej tetë anëtarësh, të cilit i printe shefi i Qeverisë, Avdullah Hoti, u nis drejt Shtëpisë së Bardhë më 31 gusht.

Së bashku me Avdullah Hotin nga Kryeministria ishin edhe dy zëvendësit e tij, Driton Selmanaj e Albulena Balaj-Halimaj. Gjithashtu, në Uashington shkuan edhe shefja e kabinetit të kryeministrit Hoti, Ardita Dushi dhe koordinatori shtetëror për dialogun Kosovë-Serbi, Skender Hyseni.

Të gjitha shpenzimet që bëri Zyra e Kryeministrit për gjashtë ditë sa ekipi qëndroi në ShBA ishin 24 mijë e 303 euro e 13 centë, duke përfshirë mëditjet, akomodimin, biletat e aeroplanit dhe shpenzime të tjera.

Por, ajo që bie në sy nga faturat e shpenzimeve, të cilat KALLXO.com i siguroi përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, janë mëditjet që mori delegacioni kosovar.

I pari i ekzekutivit, Avdullah Hoti, mori 693 euro mëditje. Aq para si mëditje mori edhe zëvendësi i tij, Driton Selmanaj.

Kjo i bie se kryeministri dhe zëvendësi i tij, Driton Selmanaj, morën mëditje për 6 ditë sa dy paga të punëtorit të sektorit privat në Kosovë.

Rroga mesatare, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për vitin 2019, ishte 420 euro bruto, ndërsa 380 euro neto.

Mëditje nga ky udhëtim morën edhe anëtarët e tjerë të Qeverisë. Zëvendëskryeministrja, Albulena Balaj-Halimaj mori 626 euro, shefja e kabinetit të kryeministrit Hoti, Ardita Dushi, gjithashtu mori 626 euro ndërsa pa mëditje nuk mbeti as koordinatori shtetëror për dialogun Kosovë-Serbi, Skender Hyseni. Ai mori pak më shumë se Balaj e Dushi – 648 euro për gjashtë ditë të qëndrimit në ShBA.

Përveç mëditjeve, shefi i Qeverisë kosovare, Avdullah Hoti, shpenzoi edhe 3 mijë e 282 euro për akomodim, 2 mijë e 246 euro për shpenzime të tjera, dhe 2 mijë e 141 euro për bileta. Totali i shpenzimeve të Hotit, ku përfshihen mëditjet, akomodimi, biletat dhe shpenzime të tjera, kap shifrën e 8 mijë e 363 eurove.

Në anën tjetër, shpenzimet e zëvendëskryeministrit, Driton Selmanajt, kapin vlerën e 4 mijë e 1 eurove. Ai harxhoi në akomodim 1 mijë e 166 euro dhe në bileta 2 mijë e 141 euro.

Pak më kursimtare se Selmanaj u tregua kolegia e tij, Albulena Balaj – Halimaj. Në akomodim, zv/kryeministrja harxhoi 1 mijë e 137 euro, 2 mijë e 141 euro në bileta dhe shpenzime të tjera, 48 euro e 60 centë, e që shifra totale është 3 mijë e 953 euro.

Ardita Dushi, shefja e kabinetit të Hotit, harxhoi 1 mijë e 269 euro për akomodim, 2 mijë e 141 euro në bileta. Në total, Dushi shpenzoi 4 mijë e 37 euro.

Koordinatori shtetëror për dialogun Kosovë-Serbi, Skender Hyseni, gjatë qëndrimit gjashtëditor në ShBA shpenzoi 3 mijë e 947 euro. Për akomodim, Hyseni harxhoi 1 mijë e 157 euro dhe bileta, 2 mijë e 141 euro.

KALLXO.com raporton në vazhdimësi për shpenzimin e parasë publike nga bartësit e institucioneve në vend.

Mëngjeset e shtrenjta të Avdullah Hotit në Uashington

www.kallxo.com