Pikturat në organizatën "Medica Kosova"/ Foto:KALLXO.com

'Medica Kosova' zhvillon aktivitete argëtuese në Ditën e Fëmijëve - VIDEO

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, organizata joqeveritare “Medica Kosova” ka zhvilluar aktivitete argëtuese për fëmijë.

Për të shënuar 1 Qershorin, kjo organizatë ka mbajtur këto aktivitete me fëmijët e “Elite School” në kuadër të një projekti i mbështetur nga Rrjeti i Grave të Kosovës.

Juristja e “Medica Kosova”, Arbnore Shehu- Bunjaku ka treguar se sot janë duke e implementuar këtë projekt i cili ka për qëllim identifikimin e fëmijëve që kanë përjetuar dhunë në pandemi.

“Bashkëpunimi kryesor dhe përkrahjen kryesore ne e kemi nga Rrjeti i Grave të Kosovës i cili vjet për vjet, varësisht prej donacioneve, na përkrah dhe jemi edhe pjesë e rrjetit tash e sa vite si anëtare. Sot jemi duke e implementu projektin i cili financohet nëpërmjet Rrjetit të Grave dhe ka për qëllim identifikimin e fëmijëve të cilët kanë përjetuar qoftë dhunë, abuzim apo traumë gjatë izolimit në pandemi”, ka thënë Shehu- Bunjaku.

Ajo ka thënë se ky projekt do të fillojë nga përfundimi i vitit shkollor dhe do të mbahen nga 8 trajnime me drejtorë të shkollave, me zyrtarë të Drejtorisë së Arsimit dhe me prindër.

“Kjo përzgjedhje është bërë me ndihmën e Drejtorisë së Arsimit, ku fillimisht e kemi marrë lejen, pastaj i kemi mbajtë gjashtë takime me drejtorët e gjashtë shkollave të komunës së Gjakovës dhe është bërë përzgjedhja e këtyre fëmijëve, fëmijë që janë më hiperaktivë dhe me këta fëmijë tash e dy javë është marrë më aktivitete psikologia e cila çdo ditë del nëpër shkolla dhe nga një orë e gjysmë i mban aktivitetet ashtu siç është parë plani javor i punës”, u shpreh ajo.

Psikologia e “Medica Kosova”, Fatjona Karakushi, ka shpjeguar se pjesë e aktiviteteve  të sotme me fëmijë janë art-terapia, muzikë-terapia dhe dramë-terapia.

“Sot kemi me punu me art-terapi, ka me pasë muzikë-terapi, dramë-terapi por në dramë-terapi ka me pasë një film me metrazh të shkurtë më një mesazh edukues”, ka thënë Karakushi.

Ajo tregoi se organizata ka filluar me seanca psikologjike për fëmijë për të cilat psikologja thotë se kanë pasur rezultate të mira.

“Seancat veç kanë fillu me u mbajtë dhe ka shumë rezultate të mira. Fëmijët kanë fillu me qenë më të lirshëm, ka fëmijë që kanë fillu me qenë shumë më social, ka fëmijë që e kanë hek ankthin me folë para masës me anë të aktiviteteve të art terapive kanë fillu me ditë me i respektu emocionet e veta me ditë qysh me i vizatu e si me i shpreh emocionet e tyre, si me bashkëndje njëri-tjetrin, me respektu tjetrin kur e ka një emocion të keq ose një ndjenjë që ai e ka të nevojshme me nda me dikënd”, tha Karakushi.

Pasi çështja e shkuarjes te psikologu mbetet tabu, Karakushi thotë se shumica e prindërve këtë organizim e kanë mirëpritur.

“Ka pasë prindër që e kanë pritë mirë, e kanë ditë vlerën që duhet me u marrë me kësi lloj aktivitete por, ka pasë prindër edhe që nuk e kanë mirëpritë, që e kanë pasë këtë lloj tabunë që fëmija jem nuk ka nevojë për psikolog, është marre me dërgu te psikologu”, ka thënë ajo.

Organizata “Medica Kosova” është themeluar në vitin 1999 për t’u dalë në ndihmë viktimave që kanë përjetuar dhunim gjatë luftës.

“Ne kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë me organizatën “Gjakova krimet e luftës 98’-99’ ku drejtoreshë është Shkëndije Hoda që e falënderoj për një punë të shkëlqyer që është duke e bërë për komunën e Gjakovës dhe më gjerë, rreth zbulimit të krimeve që kanë ndodhur në këtë komunë”, ka shpjeguar ndër të tjera juristja Shehu- Bunjaku.

Kjo organizatë gjithashtu merret me ofrimin e seancave psiko- sociale, këshillave juridike dhe mbështetjes ligjore për gratë dhe vajzat.

 

Ky projekt përkrahet nga Fondi i Grave të Kosovës me mbështetjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OShC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19”.