Ilustrim: Perdorimi i mjeteve teknologjike/iStock

Mediat sociale po dëmtojnë shëndetin mendor të adoleshentëve. Ja çfarë mund të bëjnë prindërit

Nëse jemi seriozë lidhur me trajtimin e përkeqësimit alarmant të shëndetit mendor të adoleshentëve, duhet të reduktojmë përdorimin e tyre të rrjeteve sociale.

Hulumtimet e shumta lidhin depresionin me shpeshtësinë e përdorimit të mediave sociale. Një studim i ri nga Shoqata Psikologjike Amerikane tregon se shkurtimi i kësaj kohe i ndihmon adoleshentët të ndihen më mirë.

Kompanitë janë të vetëdijshme për këtë, ekzekutivi i Facebook, i kthyer në sinjalizues, Frances Haugen, tha se hulumtimi i vetë kompanisë gjeti se përdorimi i platformave të tyre ishte i lidhur me ankthin, depresionin dhe komplekse lidhur me dukjen trupore tek adoleshentët.

Në vitin 2021, 42 për qind e nxënësve të shkollave të mesme raportuan se ndiheshin të trishtuar ose të pashpresë pothuajse çdo ditë për të paktën dy javë, saqë ndaluan së kryeri aktivitetet e tyre të zakonshme. Kriza është veçanërisht e theksuar tek vajzat; gati 3 në 5 vajza adoleshente raportuan ndjenja të vazhdueshme trishtimi,  rritje kjo prej mbi 60 për qind që nga viti 2011.

Mediat sociale po krijojnë “stuhinë e përsosmërisë” për vajzat, tha Jelena Keçmanoviç, psikoterapiste dhe profesoreshë e psikologjisë në Universitetin Georgetown.

“Tendenca e tyre për të qenë perfeksionistë dhe të ashpër me veten gjatë adoleshencës zmadhohet mijëra herë në kulturën e krahasimit në internet”, tha ajo.

Një studim i vitit 2022 tregoi se përdorimi mesatar ditor i këtyre mjeteve u rrit më shumë gjatë pandemisë dhe tani është më shumë se 5 orë e gjysmë në mesin e fëmijëve të moshës 8 deri në 12 vjeç dhe 8 orë e 39 minuta për adoleshentët e moshës 13 deri në 18 vjeç. Kjo është koha që më parë shpenzohej duke u angazhuar në marrëdhëniet mes njerëzve dhe aktivitetet më të shëndetshme si lojërat jashtë, sportet dhe gjumi.

Pediatri Michael Rich, i cili bashkëthemeloi dhe drejton Klinikën për Çrregullime të Medias Interaktive dhe Internetit në Spitalin e Fëmijëve të Bostonit, shpjegoi se ai trajton adoleshentët që “luftojnë me çështje të shëndetit fizik, mendor dhe social” nga përdorimi i tepërt i mediave sociale. Ai ka parë që notat e studentëve po bien ndjeshëm dhe të rinjtë në moshë madhore përballen me sfida për të krijuar marrëdhënie pasi hyjnë në kolegj.

Disa nga gjërat që mund të bëjnë prindërit për parandalim të efekteve negative nga ekspozimi i tepërt në teknologji:

Krijoni hapësira të lira nga ekranet

Keçmanoviç sugjeron largimin e ekraneve gjatë vakteve dhe para gjumit. Prindërit gjithashtu mund të kufizojnë përdorimin e mediave sociale të fëmijëve të tyre në hapësirën e përbashkët familjare, “jo pas dyerve të mbyllura dhe definitivisht jo deri në orën 2 të mëngjesit në dhomën e tyre të gjumit” kur ata duhet të flenë.

Duke pasur parasysh përhapjen e teknologjisë dhe përdorimin e saj në kurrikulat shkollore, mund të jetë e vështirë të zbatohet  kufiri i kohës para ekranit. Në vend të kësaj, Rich këshillon të vendoset një kohë minimale pa ekrane.

Flisni me fëmijët dhe bëni plane me ta

Fëmijët tashmë mund të jenë të vetëdijshëm për ndikimet negative të mediave sociale mbi ta. Pacientët e Keçmanoviçit i thonë asaj se e dinë se Instagrami i bën të ndihen keq për trupin e tyre dhe TikTok i pengon të flenë.

Për shkak se parandalimi është ilaçi më i mirë, është më mirë të filloni të planifikoni përpara se fëmijët të kenë  pajisje ose llogari në media sociale. Rich këshillon prindërit të vendosin kufij, të monitorojnë përdorimin dhe të shpjegojnë pasojat e hapave të gabuar. Nuk është ndryshe nga vendosja e rregullave bazë kur adoleshentët mësojnë të drejtojnë makinën. “Ne duhet të prindërojmë në hapësirën dixhitale ashtu si prindërojmë në hapësirën fizike”, tha ai.

Ndihmojini adoleshentët t’i qasen teknologjisë me kujdes

Të dy ekspertët thanë se ka përdorime pozitive të teknologjisë dixhitale kur ajo përdoret për një qëllim specifik, si kërkimi në shkollë ose lidhja me miqtë.

Shtyni/vononi përdorimin e mediave sociale

Shumica e faqeve të mediave sociale aktualisht vendosin moshë minimale prej 13 vjeç. Kirurgu amerikan, Vivek H. Murthy, tha troç se kjo duhet të ndryshojë: “Besimi im është se 13 vjeç është shumë herët”, tha ai.

Keqmanoviç mendon se fëmijët nuk duhet të përdorin mediat sociale të paktën deri në shkollën e mesme. Ajo këshillon prindërit që të formojnë “pods” me familjet e miqve të fëmijëve të tyre. Jo ndryshe nga grupet e pandemisë, këto grupe mund të vendosin së bashku për të vonuar qasjen në telefonat inteligjentë dhe mediat sociale.

Në fund të fundit, nuk është e drejtë që prindërit të lihen ta luftojnë vetë këtë betejë kundër kompanive, modeli i biznesit të të cilave është t’i mbajë njerëzit në internet për aq kohë sa të jetë e mundur. WashingtonPost.com