Foto: BIRN
Mediat serbe raportojnë se është arrestuar vozitësi i veturës prej të cilës dyshohet se u vra polici
Mediat në Serbi, përkatësisht Radio Televizioni i Serbisë (RTS), po raporton se është arrestuar vozitësi i veturës nga e cila janë shkrepur të plumbat, ngjarje ku sipas autoriteteve serbe mbeti i vrarë një polic i Serbisë.
Sipas RTS-së, Prokuroria Themelore Publike në Loznicë ka deklaruar se drejtuesit të veturës nga i cili janë gjuajtur të plumbat, H. M. i është shqiptuar masa e ndalimit deri në 48 orë, me dyshimin se ka kryer veprën penale të kalimit të paligjshëm të kufirit dhe kontrabandës me njerëz.
Ndër të tjera, RTS shkruan se vrasja në Loznicë është marrë përsipër nga Prokuroria e Shabacit.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha për RTS se vetura drejtohej nga Mithad Haxhiq nga Tutini, i cili merret me transportin e njerëzve.
“Atë person e ka marrë në Preshevë dhe nuk ka informacione se ka kaluar pikën kufitare apo vijën administrative”- tha Daçiq.
Një polic i Serbisë me emrin Nikolla Krsmanoviq, raportohet se është vrarë në qytetin perëndimor Loznicë në orët e para të së enjtes (18.07.2024).
Autoritetet serbe pretendojnë se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajzirit – i lindur më 1991 – dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka për të shtuar asgjë përveç asaj që është publike për këtë rast dhe që organet e sigurisë në Kosovë po grumbullojnë informacione.
Ai ka bërë thirrje që të mos politizohet ky rast.
“Autoritetet tona kompetente, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Policia, do ta informojnë publikun për gjendjen aktuale se ku jemi dhe çfarë duhet bërë në të ardhmen. Edhe unë pres që të japin deklaratat e tyre profesionale, sepse ne besojmë se kjo çështje nuk duhet të politizohet, por të trajtohet si e tillë, nga pikëpamja e sigurisë, ligjore dhe profesionale”- ka thënë Kurti në një konferencë për media.
Ministria e Jashtme e Kosovës ka thënë se po ndjekë nga afër zhvillimet përmes Zyrës së saj Ndërlidhëse në Beograd.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes dhe kolegëve të policit të vrarë Nikolla Krsmanoviq, njofton Presidenca e Serbisë.
“Isha jashtëzakonisht i tronditur nga lajmi për vdekjen e policit Nikolla Krsmanoviq, i cili u vra në një sulm tinëzar duke kryer me nder detyrën e tij të vështirë” – ka shkruar ai.
Ndër të tjerash, Vuçiq ka thënë humbka e tij është e pariparueshme për mbarë Serbinë.
“Nikolla ishte një hero i vërtetë, i cili ia kushtoi jetën mbrojtjes së të tjerëve dhe guximi dhe profesionalizmi i tij e udhëhoqën në të gjitha sfidat dhe rreziqet që kishte shërbimi i tij”- shtoi ai.
Tutje, shkruan se Serbia nuk do ta harrojë kurrë sakrificën dhe përkushtimin e tij vetëmohues ndaj detyrës.
Ministria e Brendshme e Serbisë ka thënë se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e cila pretendohet se është e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi.
Sipas saj, policia është në kërkim të sulmuesit të dyshuar.
Sipas një deklarate të lëshuar nga Ministria e Brendshme e Serbisë, Daçiq ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 00:55, kur zyrtarët policorë, teksa kanë qenë duke kontrolluar makinat në një pikë kontrolli në Lipniçki Shor, e kanë ndaluar një makinë të llojit Mercedes, me targa të Tutinit të Serbisë, në të cilën kanë qenë dy persona.
Sipas Ministrisë, njëri prej personave, më pas, ka shtënë me armë duke e goditur zyrtarin policor Nikolla Kërsmanoviq në gjoks, dhe zyrtarin policor Iliq Vjekosllav në shpatull, dhe më pas ka ikur.