INTERPOL - Foto: REL/Shutterstock

Mediat serbe: Kosova tërheq aplikacionin për Interpol

Kosova ka tërhequr aplikacionin e vet për anëtarësim në Interpol, pak ditë para se të dalë në votim në Asamblenë e Përgjithshme të organizatës që po mbahet në Santiago të Kilit.

Mediat serbe citojnë ministrin e jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, të ketë thënë se ambasadori i Serbisë në Francë ka marrë një njoftim për tërheqjen e aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në Interpol.

Agjencia serbe e lajmeve Beta ka dhënë detaje nga shkresa që kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka shkruar Asamblesë së Përgjithshme të Interpol-it.

“Duke pasur parasysh që në Kosovë më 6 tetor janë organizuar zgjedhjet për parlament, kërkoj me mirësjellje që aplikacioni ynë për anëtarësim të shtyhet për Asamblenë e vitit të ardhshëm të Interpolit”, thuhet në letrën e Haradinajt, të publikuar nga portali serb ‘Kosovo Online’.

Qeveria e kishte tërhequr aplikacionin për anëtarësim në Interpol edhe në vitin 2017 ndërsa vitin e kaluar Kosova nuk kishte arritur t’i marrë votat e mjaftueshme për anëtarësim.