Mediat në pandemi, privatësia dhe përjashtimet

Ekuilibri mes nevojës për raportim profesional e frymëzues në njërën anë dhe privatësisë së pacientëve të infektuar me COVID-19 në anën tjetër, është njëra ndër sfidat e reja që u është paraqitur gazetarëve ndërsa ekspertët thonë se zgjedhja duhet të bëhet me kujdes.

Përveç rrezikimit të shëndetit personal, me shpërthimin e pandemisë COVID-19, mediat në Kosovë u përballën me një situatë të re për të cilën u desh të raportojnë në baza ditore.

Lajme të rreme dhe informacione të pasakta u shpërndanë ende pa u identifikuar rastet e para të infektimeve në vend. Ndërsa me të dalë lajmi për dy të infektuarit e parë, emri i personit që besohet të jetë burimi i infeksionit u përhap shumë shpejt në disa media online.

Shpejt pas kësaj, edhe vetë zyrtarët institucionalë, duke përfshirë kryetarët e komunave filluan që njoftimet mbi rastet e infektimeve, vdekjeve apo shërimit t’i bëjnë duke e bërë njëkohësisht publik edhe identitetin e personave në fjalë.

Identifikimi i personave të infektuar shpejt u dënua nga shoqatat e gazetarëve dhe nga ekspertë të tjerë që argumentojnë se privatësia e pacientëve dhe sidomos atyre që nuk janë figura publike duhet të jetë e pacenueshme.

Edhe jashtë pandemisë, Ligjet në Kosovë parashohin qartë përgjegjësitë e individëve dhe mediave karshi privatësisë së pacientëve dhe për mbrojtjen e informatave personale në përgjithësi.

Kushtetuta  e Republikës së Kosovës në nenin 36 të saj parasheh që “secili person gëzon të drejtën e mbrojtjes së të dhënave personale”.

Me shkeljen e këtyre rregullave, individët, mediat dhe organizatat mund edhe të pësojnë gjoba dhe dënime tjera.

Flutura Kusari, juriste e të drejtës së medias thekson dëmin që është shkaktuar nga një numër -ndonëse i vogël- i mediave kosovare në lidhje me privatësinë e pacientëve.

“Në kohën e pandemisë, mbrojtja e privatësisë së pacientëve është një ndër përgjegjësitë kryesore të gazetarëve. Disa prej mediumeve – ndonëse në numër të vogël – kanë cenuar rëndë dhe qëllimshëm privatësinë e pacientëve duke zbuluar identitetin e tyre dhe kanë shkaktuar dëm gati të pariparueshëm”, thotë ajo.

Sipas saj, publikimi i identitetit të të sëmurëve është më i pranueshëm kur kemi të bëjmë me figurat publike, por jo gjithmonë.

“Edhe në këto raste, duhet të vlerësohet mirë interesi i publikut”, shton Kusari.

Kur është e pranueshme të publikohen emrat e të sëmurëve me COVID-19?

Ngjashëm me bizneset tjera, mediat kosovare kanë ndjerë goditjen ekonomike të shkaktuar nga pandemia dhe tani kësaj i është shtuar edhe rreziku personal për gazetarët e kameramanët së bashku me përgjegjësinë e raportimit në këtë situatë.

Alban Zeneli, ligjërues në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës thotë se raportime jo profesionale dhe shpërndarje të lajmeve të rreme sa i përket COVID-19 janë bërë më shumë në rrjetet sociale se sa në mediat “mainstream”.

“Faqe të ndryshme në rrjete sociale kanë shfrytëzuar këtë gjendje me qëllim të rritjes së qarkullimit online. Këtu mund të gjendet aplikimi i teorisë së afektit medial, sipas së cilës rrjetet sociale përdorin gjendjen emocionale të audiencës, siç është frika, pasiguria, paniku, etj., që të përfitojnë klikime nga një publik shpesh jo i vetëdijshëm, që vepron në afekt të këtyre emocioneve”, tha ai.

Me shpeshtimin e rasteve me COVID-19, në vend filluan të dalin edhe probleme të tjera për të cilat personat e infektuar apo familjarët e tyre dëshironin të flisnin në media. Hulumtimet mbi dyshimet për keqpërdorime të ndryshme përfshinin edhe pikëpamjet e të infektuarve apo familjarëve të tyre.

Sipas Flutura  Kusarit, në secilin rast të raportimit që përfshin identitetin e të infektuarve përpos pëlqimit të tyre për prononcim duhet të shikohet nëse personi në fjalë kupton pasojat e mundshme të këtij raportimi.

“Publikimi i emrave të pacientëve apo listave të personave të karantinuar është shkelje flagrante e privatësisë. Publikimi i emrave të personave të infektuar mund të bëhet vetëm kur vetë i infektuari jep aprovimin për zbulim të të dhënave shëndetsore, mirëpo gazetarët duhet të sigurohen që ky aprovim është dhënë nga një subjekt që i kupton mirë pasojat. Shpesh ndodhë që disa subjekte keqpërdoren në media meqë nxiten të zbulojnë të dhëna pa e kuptuar mirë pasojat që vijnë pas raportimit”, thekson Kusari.

Alban Zeneli gjithashtu thekson nevojën për kujdes nga mediat lidhur me privatësinë e pacientëve.

“E drejta që disa të dhëna, përfshirë ato mjekësore të jenë vetëm private është e drejtë bazike e njeriut dhe këtë gjë mediat duhet ta respektojnë, pavarësisht faktit që mund të ketë interesim të publikut për to. Edhe me kodet etike dhe profesionale të aplikueshme në Kosovë dhe ligjet në fuqi, e drejta e privatësisë për personat jo-publik sic kanë qenë shumica e të prekurve me Covid-19, mbetet e pacenuar. Prandaj, mediat duhet të vazhdojnë të respektojnë këtë gjë”, thotë Zeneli.

Dilemat mbi zbulimin e identitetit dhe raportimit mbi viktimat e COVID-19 nuk kanë kursyer as mediat prestigjioze botërore.

Duke bërë historinë në raportim medial, The New York Times, më 24 maj, publikoi emrat e 1 mijë të vdekurve nga COVID-19, që paraqet vetëm një fragment të të vdekurve nga virusi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ballina historike është përcjellë me përshkrimin  “humbje e panjehsueshme”.

Në anën tjetër, në Kosovë janë shënuar 30 viktima deri më tani, identitetet e disa prej të cilëve janë bërë publik.

Megjithatë, ekspertët argumentojnë se stigmatizimi i personave që po jetojnë me infeksionin është rrezik i madh nga raportimi që mund të bëhet, duke pasur parasysh edhe popullsinë e vogël.

“Në bindjen time, derisa një person nuk është personalitet publik nuk ka nevoje të ketë përjashtime në zbulimin e identitetit të të prekurve nga pandemia. Mediat duhet ta bëjnë të qartë dallimin në mes të interesit publik, pra kur një informatë do ndihmonte interesin e përgjithshëm dhe interesimin e publikut për të ditur më shumë”, thotë Zeneli.

Ai shton se “shpeshherë duke dashur ta paraqesin si interes publik, mediat kanë zbuluar identitetet e personave duke ndjekur në fakt interesimin e publikut”.

Sipas Zenelit megjithatë, stigma për të infektuarit mund ta bëjë edhe më të vështirë përballimin e infeksionit.

Momentalisht në Kosovë janë regjistruar 1064 raste me COVID-19, 829 të shëruar dhe 30 të vdekur./Portalb.mk