Mediat britanike shkruajnë se Drita rrezikon dëbimin nga Champions League

Pasi ndeshja ndërmjet Dritës dhe irlandezëve të Linfield në fazën parakualifikuese të grupeve në Champions League u anulua, për shkak se një lojtar i Dritës rezultoi pozitiv me COVID-19 britanikja Mirror shkruan se klubi nga Gjilani rrezikon dëbimin nga gara.

E gjithë skuadra e Dritës rezultoi negative nga coronavirusi gjatë testimit para arritjes në Zvicër.

Por Mirror citon një deklaratë të UEFA-s , që ka konfirmuar prekjen nga virusi nga lojtari i Dritës.

Çështja do t’i paraqitet Trupit Disiplinor të UEFA-s, për një vendim që do të merret në përputhje me Shtojcën 1, të rregullorës së Champions League për vitin 2020-2021, e cila u miratua nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s gjatë javës së kaluar.

Dhe për këtë arsye, sipas Mirror, Drita rrezikon dëbimin nga gara e Champions League, para se të luhet ndeshja ndaj Linfield.

Vlen të theksohet se edhe Mariano i Realit të Madridit kishte rezultuar pozitiv me COVID-19, para ndeshjes kundër Manchester City gjatë javës së kaluar, por që UEFA nuk kishte vendosur për dëbim të klubit madrilen nga gara.