Ushtria e Malit te Zi, Foto: Qeveria e Malit te Zi
Media e Malit të Zi për ushtarët e arrestuar tek Manastiri i Deçanit: Shkuan në Kosovë pa pyetur, do suspendohen
Dy pjestarë të Ushtrisë së Malit të Zi që u arrestuan në Kosovë do suspendohen dhe ndaj tyre do të nisë procedurë disiplinore për mosinformimin e eprorëve të tyre se do të udhëtonin jashtë vendit, ka mësuar jozyrtarisht media malazeze “Vijesti“.
Burimi i gazetës nga Ushtria e Malit të Zi ka deklaruar se Rajko Krivokapiq dhe Dragutin Lalatoviq nuk e kanë informuar komandantin e tyre se po shkonin në Kosovë, gjë të cilën ishin të detyruar ta bënin sipas ligjit.
Sipas Ligjit për Ushtrinë e Malit të Zi, një person në shërbim ushtarak mund të udhëtojë jashtë vendit, por është i detyruar ta raportojë udhëtimin “eprorit të tij të nështruar ndaj Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Malit të Zi…”. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm mund ta kufizojë udhëtimin jashtë vendit për nevoja të shërbimit, ndërsa në kushte të luftës ose të gjendjes së jashtëzakonshme, mund të shkohet jashtë vetëm me miratimin e Ministrit të Mbrojtjes.
Ministria e Mbrojtjes nuk iu përgjigj pyetjes së gazetës “Vijesti” nëse dy ushtarët e kishin raportuar te eprori i tyre udhëtimin jashtë vendit.
Burimi i “Vijesti” deklaroi se, bazuar në raportimet mediatike, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Zoran Lazareviq, ka kërkuar nga Ministria e Mbrojtjes që përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme të kërkojë një njoftim zyrtar për arrestimin dhe ndalimin e Krivokapiq dhe Lalatoviq nga institucionet përkatëse në Kosovë, dhe po pritet ky dokument për të nisur procedurën.
“Nuk mund të fillohet procedurë disiplinore bazuar në raportimet mediatike”, tha burimi i “Vijesti”.
Më 24.11.2024 Krivokapiq (34), Lalatoviq (24) dhe Marinko Jovanoviq (24) u arrestuan pranë manastirit të Deçanit pasi mbanin në targat e automjetit të tyre mbishkrimin “Kosova është Serbi”.
Pas një ndalimi dyditor, Gjykata Themelore në Pejë iu caktoi atyre masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Prokuroria po i heton për veprën penale të ‘nxitjes së urrejtjes dhe mosdurimit’.
Burimi nga Ushtria e Malit të Zi ka bërë të ditur se Krivokapiq dhe Lalatoviq, gjatë kohës së pezullimit, nuk do të paraqiten në punë dhe do të marrin dy të tretat e pagës.
“Vijesti” mëson jozyrtarisht se njëri prej ushtarëve të arrestuar kishte qenë me raport mjekësor që nga tetori, ndërsa tjetri kishte marrë raport mjekësor menjëherë para incidentit në Kosovë, pas një periudhe pushimi.
Derisa, nuk është e qartë si është e mundur që dy ushtarët, që formalisht ishin me raport mjekësor, ishin të aftë të udhëtonin jashtë vendit. Një burim nga Ministria e Mbrojtjes i tha gazetës “Vijesti” se ministri kishte kërkuar më herët nga Komisioni Kombëtar për Kontrollin e Raporteve Mjekësore pranë Ministrisë së Shëndetësisë të hetonte raportet mjekësore të punonjësve të ministrisë së tij, si dhe të disa pjesëtarëve të Ushtrisë së Malit të Zi.
Ministria e Mbrojtjes nuk i është përgjigjur pyetjes së gazetës se si ishte e mundur që Krivokapiq dhe Lalatoviq të udhëtonin ndërkohë që ishin me raport mjekësor.
Sipas Ligjit për Ushtrinë e Malit të Zi, një person në shërbim në Ushtri mund të largohet nga detyra gjatë kohës që është në paraburgim, gjatë vuajtjes së dënimit me burg, si dhe në rast se kapet duke kryer shkelje disiplinore, ose nëse ndaj tij nis procedurë penale ose disiplinore, në rast se prania e tij në detyrë do të ishte e dëmshme për interesat e shërbimit. Gjatë kohës së largimit nga detyra, personi nuk mund të paraqitet në punë.
Sipas të njëjtit akt një personi të larguar nga detyra i paguhen dy të tretat e pagës së muajit para largimit, ose tre të katërtat nëse mban familje.
Pjesa e papaguar e pagës do të transferohet në rast se procedura disiplinore pezullohet ose personi shpallet i pafajshëm për shkeljen disiplinore, si dhe nëse me një vendim të formës së prerë procedura penale mbyllet, ose është vendosur se shkelja disiplinore nuk është kryer, apo nëse me një vendim të formës së prerë të gjykatës personi lirohet nga akuzat ose ato refuzohen.
Policia e Kosovës më 24 nëntor njoftoi se gjatë një ceremonie në manastirin e Deçanit arrestoi tre persona, në automjetin e të cilëve ishte vërejtur mbishkrimi “Kosova është Serbi”. Ky automjet, me targa të Malit të Zi, ndodhej në parkingun pranë manastirit.
Ministri i Mbrojtjes, Dragan Krapoviq, disa ditë pas incidentit konfirmoi se dy nga tre personat e arrestuar janë pjesëtarë të Ushtrisë së Malit të Zi.
“Jam i njoftuar me rastin që ka ndodhur në Kosovë, ashtu si të gjithë të tjerët, kryesisht përmes mediave. Dy pjesëtarët e Ushtrisë së Malit të Zi që janë ndaluar kanë qenë pjesë e sistemit për një kohë të gjatë – njëri që nga viti 2011 dhe tjetri që nga viti 2022. Sipas informacioneve të mia dhe vlerësimeve të eprorëve të tyre, bëhet fjalë për pjesëtarë të mirë dhe shembullorë të Ushtrisë së Malit të Zi,” ka deklaruar ai.
“Sa i përket këtij rasti, asgjë nuk do të bëhet ‘me ngut’ dhe askujt nuk do t’i ‘pritet koka’, nëse dikush pret një veprim të tillë… Në këtë, si në të gjitha rastet e tjera, është e nevojshme të përcaktohen të gjitha faktet dhe rrethanat përkatëse…”, theksoi ministri i mbrojtjes.
Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, bëri thirrje para dy ditësh që të lirohen menjëherë të arrestuarit.
“Duke marrë parasysh të gjitha rrethanat që lidhen me ndalimin e tre serbëve nga Nikshiqi pranë manastirit të Deçanit, me theks të veçantë në argumentet jashtëzakonisht të paqëndrueshme, gjuhën e urrejtjes që është e pranishme në mediat e Prishtinës, por edhe midis zyrtarëve të atjeshëm… i bëj thirrje administratës atje që të lirojë menjëherë qytetarët dhe pjesëtarët e Ushtrisë…”, ka shkruar Mandiq në “X” (ish-Twitter).
Kryeparlamentari ka mbështetur “kërkesat e arsyeshme të Rinisë Ortodokse ‘Shtegu i gëzimit në tokën e të gjallëve’,” të cilët para dy ditësh protestuan para Kuvendit për shkak të arrestimit të tre personave nga Nikshiqi.
Mandiq tha se që nga momenti i arrestimit të tyre po bën gjithçka që është në fuqinë e tij që Ministria e Mbrojtjes të kthejë “qytetarët e pafajshëm të Malit të Zi dhe pjesëtarët e ushtrisë sonë në shtëpitë dhe familjet e tyre”.
Në lidhje me incidentin në Kosovë, ka reaguar edhe kabineti i zëvendëskryeministrit për Punë të Jashtme dhe Europiane, Filip Ivanoviq.
“Presim që qytetarëve tanë t’u sigurohet një trajtim i paanshëm dhe i drejtë, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Përfaqësuesit tanë në Prishtinë janë në komunikim të vazhdueshëm me të ndaluarit dhe përfaqësuesin e tyre ligjor…”, thuhet në deklaratën nga kabineti i Ivanoviqit.