MEA me raport ekologjik pas ankesës së organizatës "Pishtarët" për lejet ujore në grykën e Deçanit

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit përmes një komunikate ka reaguar lidhur me ankesën e OJQ ‘Pishtarët’ për lejet ujore që konsiderohet se paraqesin dëm për grykën e Deçanit.

Në këtë komunikatë është dërguar një raport i gjerë i rrjedhjes së ujërave për Grykën e Deçanit.

Raportit i është bashkangjitur edhe një studim për rrjedhën minimale të ujit në tre hidrocentrale “EGU Deçan”, “EGU Belaje” dhe “HEC Lumbardhi 2”.

Dokumentimi i prurjes së pranueshme ekologjike i kërkuar në Lejen Ujore 4981/20 dhe 4982/20, ka qenë më parë i dorëzuar si pjesë e aplikimeve për leje ujore të viteve 2011, 2019 dhe 2020. Po ashtu është i aplikuar praktikisht me Stacionet e Matjes së Ujit të Kelkos Energy, që janë në operim që nga gushti i vitit 2018.

Kurse nga të dhënat e raportit, shfaqet se shkarkimi mesatar vjetor në zonën marrëse HEC Lumbardhi II është 0.83m3/s.

Organizata për mbrojtën e ambientit ‘Pishtarët’ dje përmes një komunikate i kanë kërkuar U.D ministrit të ri të Ekonomisë dhe Ambientit, Muharrem Nitaj, që të veprojë lidhur me shkeljet që janë bërë nga KelKos Energy mbi Grykën e Deçanit.

Përmes kësaj komunikate ‘Pishtarët’ janë shprehur të shqetësuar lidhur me kërkesën për Leje Ujore për HC Lumbardhi 2, e që sipas tyre kjo rrezikon ta lë Deçanin pa ujë.

Ky raport i prurjes ekologjike u shpërnda nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit pas kërkesës për qasje në këtë dokument nga më shumë se 50 organizata.

Në këtë link është raporti i plotë i rrjedhës minimale dhe mesatare të ujit që është edhe kusht për lëshim të lejeve ujore.

‘Pishtarët’ i bëjnë thirrje Muharrem Nitajt të veprojë për shkeljet e KelKos-it në Deçan

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.