Me "Zola", armë krahu, helmeta e me maska - Kurti i përshkruan personat që janë në Banjskë

“Janë së paku 30 të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë a policë, të cilët ndodhën nën rrethimin e forcave tona” – ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media. 

Ai ka përshkruar se si duken këta persona, duke prezantuar edhe fotografi të këtyre personave që shihen në dhe rreth manastirit dhe kishës në Banjskë të Zveçanit. 

Kurti ka thënë se në fotografitë që u prezantuan shihen persona të uniformuar, të cilët kanë armë krahu, “Zola”, maska e mjete të tjera ushtarake e policore. 

“Ka njerëz të armatosur rëndë, me pajisje ushtarake, me maska të cilet janë rrotull manastirit në Banjskë të Zveçanit. E vëreni se ka një gjoksore që është tipike për uniformën dhe pajisjet në vendluftime, nuk e ka as unfiromën e një polici të rregullt por të dikujt që është i njësive speciale ushtarake ose policore” – ka thënë Kurti. 

Ai tutje tha se është një person po ashtu të unfiromuar që ka edhe helmetë, e që sipas tij është duke bartur dicka që nuk është lehtë e identfikueshme se cfarë është. 

“E shihni këtu personi i unfiromuar se si ka në shpinë këtë armën që në mënyrë të popullarizuar e quajmë zollë, pra mbanë në shpinë teksa kalon pranë xhipit pa tagra” – tha Kurti. 

Tutje ai shtoi se në mesin e automjeteve që kanë me vete ky grup, që sipas Kurtit është formacion profesional dhe nuk është grup me civil të armatosur, ka edhe autoblindë. 

Kurti, ka njoftuar se mëngjesin e sotëm në fshatin Banjska të Zveçanit është vrarë një polic i Kosovës, një tjetër është plagosur e një i tretë ka mbetur i lënduar.

Sipas Kurtit, i vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare.