Me zgjedhjen e Agim Veliut ministër, Podujeva shkon në zgjedhje
Agim Veliu është raportuar të jetë i propozuar për ministër të Punëve të Brendshme në Qeverinë që do të drejtohet nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Qeveria e re e Kosovës pritet të votohet nesër në Kuvendin e Kosovës.
Këta janë të propozuarit e LDK-së për ministra në Qeverinë Kurti
Por me zgjedhjen e Veliut në këtë pozitë, Komuna e Podujevës që udhëhiqet nga vetë ai, do të shkojë në zgjedhje të parakohshme për kryetar të Komunës, pasi ai duhet të japë dorëheqje për shkak te detyrës së re.
Ligji për Vetëqeverisje Lokale në nenin 56 pika 3, sqaron se kur përfundon mandati i kryetarit të komunës:
a) kur ta kryejë mandatin e tij;
b) nëse vdes;
c) nëse jep dorëheqje;
d) nëse ndërron vendbanimin në komunë tjetër;
e) nëse nuk paraqitet në punë për më shumë se 1 muaj pa arsye;
f) nëse shkarkohet nga detyra në pajtim me këtë ligj;
g) në rast të vendimit përfundimtar të gjyqit që e privon kryetarin e komunës nga cilësia juridike; dhe
h) në rast të dënimit për vepër penale me një urdhër për burgim për gjashtë (6) muaj ose më tepër.
Ndërsa, neni 59 pika 1, flet për konfliktin e interesit:
59.1 Menjëherë pas zgjedhjes së tyre, kryetarët e komunave ndërpresin çdo kontratë apo lidhje që kanë, e cila mund ta vë në pikëpyetje aftësinë e tyre për kryerjen e përgjegjësive të tyre në mënyrë të drejtë dhe të paanshme.
Agim Veliu është rizgjedhur kryetar i Komunës së Podujevës në zgjedhjet lokale të vitit 2017.
Ai gjithashtu është nënkryetar i LDK-së dhe kryetar i degës së kësaj partie në Podujevë.