Me thirrjen “kundër bosnjizimit të Kosovës”, mërgimtarët në Gjermani protestojnë kundër Asociacionit

Mërgimtarë shqiptarë në Gjermani kanë protestuar këtë të shtunë në Berlin, kundër themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Protesta është organizuar nga aktivistë e shoqatave të bashkatdhetarëve, ndërsa është përkrahur edhe nga qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjermani.

“Kundër bosnjizimit të Kosovës”, “Vuçiqi vëllai i vogël i Putinit”, “Vuçiqi e do edhe një luftë në Evropë”, “Jo Asociacionit” e “Jo ndarjes etnike”, ishin disa nga pankartat protestuese në Berlin.

Sipas organizatorëve të protestës, qëllimi i saj është “sensibilizimi i opinionit për rrezikun që paraqet themelimi i enklavave njëetnike (serbe) përkatësisht themelimi edhe i një Republika Srpska, për Kosovën dhe tërë rajonin”.

Ndërkaq, edhe në Prishtinë, më 15 shkurt do të protestohet kundër formimit të Asociacionit nga studentët e Universitetit të Prishtinës. /Telegrafi