foto; Denis Sllovinja
Më shumë se një vit UP me ushtrues detyre të sekretarit të përgjithshëm
Safet Thaçi do të vazhdojë ta ushtrojë detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Universitetit të Prishtinës edhe për tre muaj.
Ky është vendimi i Këshillit Drejtues të UP-së i datës 31.12.2025, ndërsa Thaçi deri më tani ka tre muaj e dy javë që e ka ushtruar detyrën e sekretarit të përgjithshëm në UP.
Vazhdimin e ushtrimit të detyrës nga Thaçi e ka propozuar rektori Arben Hajrullahu, ndërsa UP shënon 1 vit e tre muaj që ende nuk ka hapur konkurs për këtë pozitë.
“Rektori ka propozuar që ky mandat të vazhdohet edhe për tre muaj të tjerë, respektivisht deri më 31.03.2026, me mundësi vazhdimi sipas dispozitave të nenit 35 të Ligjit nr. 09/L-197 për Zyrtarët Publikë, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligji nr. 08/L-294”- thuhet në vendimin e Këshillit Drejtues të UP-së të datës 31.12.2025.
Altin Sahiti, kryetari i Këshillit Drejtues të UP-së i ka treguar KALLXO.com se kur janë të gatshëm ta hapin konkursin për sekretar të përgjithshëm.
“Siç e dini, Universiteti i Prishtinës ka hapur dy konkurse për pozitat e Drejtorit të Burimeve Njerëzore dhe Zyrtarit për Burime Njerëzore. Pas përfundimit të këtyre konkurseve dhe fuqizimit të kësaj zyre, do të jemi të gatshëm të fillojmë fazën e re të rekrutimeve për Sekretarin e Përgjithshëm të Universitetit të Prishtinës, si dhe për Drejtorë të Departamenteve dhe pozita të tjera esenciale”- ka thënë Sahiti, më 13.01.2026.
Thaçi ishte caktuar ushtrues detyre i sekretarit të përgjithshëm të UP-së për tre muaj në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Drejtues më 29.09.2025.
Thaçin e kishte propozuar rektori Hajrullahu, pas dorëheqjes së Besnik Loxhës që kishte ofruar dorëheqje nga pozita që e kishte mbajtur një vit, nga data 27.09.2024.
Sipas pikës 3 të nenit 35 të Ligjit nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, “zyrtarja/i publik nuk mund të caktohet si ushtrues detyre më gjatë se 6 muaj. Kur pozita nuk mund të plotësohet brenda afatit 6 mujor, ky afat mund të zgjas më së shumti edhe për 6 muaj të tjerë”.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Drejtues të UP-së më 29.09.2025, Hajrullahu kishte thënë se ka disa muaj që ka kërkuar të shpallet konkursi i rregullt për sekretar të UP-së, por nuk ka ndodhur.
Këshilli Drejtues i UP-së nuk kishte pranuar të hapej pozita për sekretarin e përgjithshëm të UP-së në mbledhjen e datës 22.05.2025, pasi ishin arsyetuar se janë në fund të mandatit si anëtarë të Këshillit dhe nuk duan që në këtë periudhë të hapet ky konkurs dhe të tjera pozita të drejtorëve të zyrave administrative të UP-së.
Në anën tjetër, Besnik Loxha ishte propozuar nga rektori Hajrullahu për u.d. sekretar të përgjithshëm të UP-së, pasi më 26.09.2024, Këshilli Drejtues i UP-së e liroi nga kjo detyrë Besfort Krasniqin.
Krasniqi u lirua nga detyra pas votimit të fshehtë të anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe pasi ishte vlerësuar si përgjegjës për keqmenaxhim të buxhetit të UP-së.
Këshilli Drejtues i UP-së është organi kryesor qeverisës, i cili përbëhet nga nëntë anëtarë.
Katër prej anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së zgjidhen nga Ministria e Arsimit, kurse pesë të tjerë zgjidhen nga Senati i UP-së dhe vijnë nga radhët e personelit akademik.
Këshilli Drejtues i UP-së përbëhet nga: Altin Sahiti (kryetar), Arbëresha Nela- Turjaka (zëvendëskryetare) dhe anëtarët – Myesere Hoxha, Berenika Gashi, Arian Krasniqi, Teuta Jashari- Kajtazi, Mimoza Ibrani, Vjosa Fejza- Ademi dhe Kurtesh Sherifi.