Tërmeti në Turqi, Foto: VOA

Më shumë se 600 persona po hetohen për ndërtimet që u shembën pas tërmetit në Turqi

Më shumë se 600 njerëz po hetohen tani në Turqi për ndërtesat që u shembën nga tërmeti vdekjeprurës i 6 shkurtit, ka thënë kështu qeveria atje.

Gjatë ditës së djeshme, Ministri i Drejtësisë në Turqi, Bekir Bozdag, tha se 184 persona të dyshuar përfshirë këtu edhe kontratorët e ndërtimit dhe pronarët e disa pronave ishin arrestuar tashmë, raporton BBC.

Për vite me radhë, ekspertët paralajmëruan se korrupsioni endemik dhe politikat e qeverisë nënkuptonin se shumë ndërtesa të reja ishin të pasigurta.

Numri i konfirmuar i vdekjeve në Turqi dhe Siri tani ka tejkaluar numrin 50 mijë.

Ministri Bozdag deklaratat e tij i bëri nga Turqia juglindore, aty ku ra tërmeti me magnitudë 7.8 ballë dhe u pasua me lëkundje të tjera të fuqishme disa orë më vonë.

Ai shtoi se është bërë edhe zgjerimi i hetimeve ndërsa autoritetet kishin lëshuar 113 urdhër- arreste.

Mes të arrestuarve është edhe një kryebashkiak i një prej qyteteve afër vendit ku goditi tërmeti, raportojnë mediat turke përcjellë BBC.

Më shumë se 160 mijë ndërtesa u shembën ose u dëmtuan rëndë në Turqi pas tërmeteve, duke ngritur pikëpyetje nëse ndikimi i fatkeqësisë natyrore u përkeqësua nga dështimet njerëzore.

Partitë e opozitës dhe disa ekspertë ndërtimi akuzojnë administratën e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan për dështim në zbatimin e rregulloreve të ndërtimit dhe përpjekje për të larguar fajin e përgjithshëm për katastrofën.

Ata thonë se politikat e qeverisë kanë lejuar të ashtuquajturat amnisti për kontraktorët që kanë shkelur rregullat e ndërtimit, në mënyrë që të inkurajojnë një bum ndërtimi, duke përfshirë rajonet e prirura nga tërmeti.

Erdogan ka pranuar mangësitë, por duket se fajëson fatin për shkallën e katastrofës.

“Gjëra të tilla kanë ndodhur gjithmonë. Është pjesë e planit të fatit,” tha ai gjatë një vizite të fundit në rajon.