Më shumë se 42 mijë qytetarë të vaksinuar kundër COVID-19

Gjatë ditës së sotme janë vaksinuar 140 persona në Qendrën e Vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë ndërsa, menaxheri i kësaj qendreje, Niman Bardhi ka bërë të ditur se në gjithë vendin deri më tash janë rreth 42 mijë qytetar të vaksinuar.

Bardhi, ka thënë sot se procesi i vaksinimit po shkon në rregull.

“Procesi i vaksinimit po vazhdon edhe sot, ku deri më tani janë vaksinuar 140 persona, ndërsa në total kemi 8 mijë persona të vaksinuar në këtë sallë. Në nivel vendi deri më tani kemi 42 mijë persona të vaksinuar”, ka thënë Bardhi.

Ai tutje ka shtuar se vaksinimi po shkon sipas planifikimit, pasi që secili qytetar e ka të konfirmuar kohën se kur duhet të vijë dhe të vaksinohet, ndërsa ka shtuar se procesi i njëjtë po vazhdon edhe në komunat e tjera.

Në këtë konferencë për media, Bardhi ka ngritur një shqetësim për vështirësitë që disa qytetar kanë hasur në aplikimin online.

“Shqetësimin për aplikimin online e kemi marr që nga dje dhe e kemi ngritur si çështje. Në bazë të informacioneve që kemi, që nga nesër e tutje ku proces do të jetë më i lehtë për të aplikuar. Po shpresoj që nga nesër ky problem do të evitohet”, ka thënë Bardhi.