Ilustrim: Patentë shoferë të Kosovës - Foto: KALLXO.com
Më shumë se 2,000 qytetarë kërkuan t’i konvertojnë patentët shoferët ilegalë në RKS
Numri i qytetarëve që kanë aplikuar për konvertimin e patentë shoferëve të lëshuar nga institucionet jolegale serbe në Kosovë në ato zyrtare – të lëshuara nga institucionet e Kosovës, e ka kaluar shifrën 2,000.
Sipas zëvendësdrejtorit të Drejtorisë Rajonale Mitrovicë Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani, në total tashmë kanë 2,075 kërkesa për konvertimin e patentë shoferëve, prej tyre 1,739 në veri e 336 në pjesën tjetër të Kosovës.
Elshani ka bërë të ditur se më 05.07.2024 kanë pranuar 114 kërkesa për konvertimin e patentë shoferëve në veri, ndërsa katër të tjera në komunat e tjera të Kosovës.
KALLXO.com është duke raportuar vazhdimisht në lidhje me numrin e kërkesave për konvertimin e patentë shoferëve.
Më 02.07.2024, KALLXO.com raportoi se 1 mijë e 713 kërkesa ishin bërë për konvertimin e patentë shoferëve në veri të vendit.
Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme më 07.05.2024 ka sqaruar se kalimi në patentë shoferë RKS mundëson regjistrimin e lehtë dhe praktik të automjeteve dhe nuk kërkon përsëritje të dhënies së provimit për fitim të patentë shoferit, por vetëm aplikim të cilin çdo qytetar duhet ta dorëzojë në Qendrën për pajisje me dokumente.
Sipas MPB-së, për të aplikuar qytetarëve u duhet të dorëzojnë në Qendrën për pajisje me dokumente: letërnjoftimin, origjinalin e patentë shoferit të lëshuar nga ana e autoriteteve serbe, certifikatën e gjendjes shëndetësore për pajisje me patentë shofer, dëshmi të pagesës së taksës, dhe origjinalin e patentë shoferit të lëshuar nga UNMIK apo RKS në qoftë se bëhet aplikimi për shtimin e kategorive, gjë e cila po ashtu është mundësuar përmes këtij vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ky vendim ka hyrë në fuqi më 09.05.2024 dhe është valid deri më 09.08.2024.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një video-adresimi në gjuhën serbe, ka deklaruar se që një kohë të gjatë kanë pranuar kërkesat e qytetarëve serbë të Kosovës për marrjen e një vendimi të këtillë.
“Kalimi në patentë shoferë RKS mundëson regjistrimin e lehtë dhe praktik të automjeteve. Për më tepër nuk kërkon përsëritje të dhënies së provimit për fitim të patentë shoferit por vetëm aplikim”- është shprehur Kurti.
Çështja e institucioneve serbe në Kosovë u ngrit gjatë takimit të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel më 25 prill.
Kryenegociatori i Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, kishte thënë se pala serbe ka kërkuar që të lejohet financimi i çfarëdo strukture paralele të Serbisë në Kosovë “deri në themelimin e Asociacionit (të komunave me shumicë serbe)”.
Sipas Bislimit, pala serbe nuk tregoi se cilat janë këto struktura paralele të cilat ata duan t’i financojnë.