Rektori i UP-së, Arben Hajrullahu, Foto: Islam Berisha/KALLXO.com
Më shumë se 20 profesorë të UP-së kanë shprehur interesimin për të qenë pjesë të Këshillit të Etikës
20 e më shumë profesorë të Universitetit të Prishtinës kanë shprehur interesim për të qenë pjesë e Këshillit të ri të Etikës të UP-së.
Kështu ka konfirmuar më 08.11.2024, rektori i UP-së, Arben Hajrullahu.
Në mbledhjen e Senatit të UP-së, më 30.10.2024, nuk u propozuan profesorë për t’i emëruar anëtarë të Këshillit të ri të Etikës të UP-së, pasi nuk doli të kishte mjaftueshëm profesorë që kishin pranuar të propozohen.
Rektori Hajrullahu kishte treguar gjatë mbledhjes së Senatit se i ka kontaktuar disa profesorë e profesoresha të UP-së që të pranojnë për t’i propozuar për anëtarë të Këshillit të ri të Etikës të UP-së, por vetëm një profesor dhe një profesoreshë i janë përgjigjur pozitivisht.
Si rezultat i kësaj, Hajrullahu kishte thënë se do t’iu shkruante përsëri profesorëve e profesoreshave të UP-së për t’i pyetur nëse janë të interesuar të propozohen për anëtarë të Këshillit të Etikës të UP-së.
Hajrullahu tha se u ka dërguar një ftesë të gjithë stafit akademik të UP-së të cilët mund të konsiderohen për t’u bërë anëtarë të Këshillit të Etikës të UP-së dhe se deri sot, më 08.11.2024, në ora 16:00 ka qenë ftesa e hapur për shprehje të interesit.
“Nuk e di numrin e saktë, po vërtetë numri i stafit që ka shprehë interes për m’u bo pjesë e Këshillit [të Etikës në UP] është dyshifror, ndoshta treshifror, nuk ka hypë, po gjithsesi 20 e ma shumë. Ai Këshill duhet t’i ketë pesë ose shtatë anëtarë. Ne bashkërisht edhe me stafin menaxherial, po edhe me Senatin, do t’i shqyrtojmë të gjitha ato shprehje të interesit dhe do t’i përzgjedhim një listë e do t’i propozoj Senatit mbledhjen e radhës me ata anëtarë, me ato anëtare, të cilat besojmë që janë më të denjët për këtë Këshill të Etikës” – ka deklaruar Hajrullahu, më 08.11.2024.
Ndonëse tha se nuk i njeh të gjithë stafin akademik të UP-së, pasi janë rreth 1,000 të punësuar, Hajrullahu shpreson se do të ketë përfaqësim nga të dy gjinitë në Këshill të Etikës të UP-së dhe të jenë njerëz me integritet dhe etikë.
Ai sërish ka theksuar se Këshilli i Etikës është Këshilli i këshillave dhe se shpreson që ky Këshill të ekzistojë, por të ketë më së paku punë në Universitet.
“Shpresoj që kur kemi anëtarë të këtillë, ky Këshill, qëllimi është që të jetë sa ma profesional me njerëz sa më me integritet e që të ketë, mundësisht, punë fare pak apo aspak” – ka shtuar ai.
Edhe në mbledhjen e Senatit të UP-së, më 30.10.2024, Hajrullahu kishte kërkuar që jo të gjithë anëtarët e Këshillit të Etikës të UP-së të jenë burra, e të krijohet “klub i burrave”.
Hajrullahu kishte përmendur një rast të Këshillit të Etikës të UP-së që e ka kryer mandatin më 01.10.2024, i cili u ballafaqua me trajtimin e rastit të denoncuar për ngacmim seksual ndaj profesorit të Fakultetit të Edukimit në UP, Xhevat Krasniqi.
Këshilli i kaluar i Etikës i UP-së u bllokua nga aktivistë për disa orë në sallën e Administratës Qendrore të UP-së më 22.04.2024, pasi nuk mori vendim ndaj profesorit Krasniqi.
Me këtë rast, rektori Hajrullahu i ka atakuar edhe mediat rreth raportimit të tyre për bllokimin e anëtarëve të Këshillit të kaluar të Etikës të UP-së.
“Nuk e dëshiroj as unë, askush me pa skena çfarë kemi përjetuar diku në pranverë ose në verën [2024] këtu m’u blloku dyert. Krejt në rregull, këta kolegët e mediave janë më se të mirëseardhur, e dinë, s’kemi asgjë për të fshehur, mirëpo nuk ka nevojë me na bo për teatro edhe pse e kemi teatrin në renovim atje, është teatri, nuk është Universiteti” – ka thënë Hajrullahu.
Si përfundim, Hajrullahu kishte shpresuar se në mbledhjen e radhës të Senatit të UP-së do të propozohen anëtarët për Këshill të Etikës të UP-së dhe ta përfundojnë këtë punë gjatë muajit nëntor 2024.
Këshilli i Etikës i UP-së që i përfundoi mandati përbëhej nga katër anëtarë burra: Iset Morina (kryesues) dhe anëtarët – Arben Hajdari, Skender Muji dhe Rrezeart Galica.
Në anën tjetër, rektori Hajrullahu u zgjodh në këtë pozitë nga Këshilli Drejtues i UP-së më 07.08.2024, kurse ka filluar mandatin më 01.10.2024.