Shfaqja "7 Shkallët", Fotografi: Teatri i Gjilanit

Me shfaqjen “7 Shkallët” rikthehet sot Teatri i Gjilanit

Sot në orën 20:00 do të jepet premiera e shfaqjes “7 Shkallët” në Teatrin e Qytetit të Gjilanit.

Me “7 Shkallët”  Teatri i Gjilanit i rikthehet skenës së teatrit pas mbylljes të teatrove si masë parandaluese ndaj përhapjes së COVID-19.

“7 Shkallët” është një përmbledhje e skenave të hit filmave, këngëve e shfaqjeve më të suksesshme të një periudhe të caktuar kohore.

“Shumë vallëzim, këngë, remake të skenave të filmave botërore ju presin me një format spektakolar” thuhet në njoftimin e Teatrit.

Në shfaqje luajnë: Alban Shahiqi, Artan Selimi, Avni Shkodra, Emine Toska, Erneset Zymberi, Gani Rrahmani, Kushtrim Qerimi, Safete Mustafa-Baftiu, Tringa Hasani.

Për shkak të respektimit të masave numri i ulëseve është i kufizuar dhe bartja e maskës në të gjitha hapësirat e teatrit është obligative.

Në mbledhjen e 32 e Qeverisë, me 25 shtator u vendosen masa të reja për parandalimin e coronavirusit dhe u mor vendimi për lejimin e disa aktiviteteve kulturore.

Me këtë vendim lejohen pjesërisht aktivitetet kulturore të institucioneve vartëse të MKRS-së dhe komunave, Teatrove, Bibliotekave, Filarmonisë, Galerive, Ansambleve, Baleti, Kinemave, Qendrave Rinore, Muzetë, Qendrave të Kulturës, me grupe, duke shfrytëzuar vetëm 40% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse.

Përqindja e shfrytëzimit të hapësirave vlen për të gjitha aktivitetet, si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime, duke u bazuar në Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID19.