
Liderë partish politike dhe presidenti Boris Trajkovski duke nënshkruar marrëveshjen në gusht 2001. Foto: EPA/VLATKO PERKOVSKI.
Me rastin e 20-vjetorit, Maqedonia e Veriut arkivon dokumentin “e humbur” të paqes
Njëzet vjet pasi Marrëveshja e Paqes e Ohrit i dha fund konfliktit të armatosur në 2001, Maqedonia e Veriut më në fund ka gjetur një kopje origjinale të dokumentit historik dhe e ka dërguar atë në Arkivin e saj Shtetëror.
Ndërsa Maqedonia e Veriut të premten shënon 20-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes të Ohrit që i dha fund konfliktit të vitit 2001 midis forcave të sigurisë dhe kryengritësve shqiptarë, një kopje origjinale e dokumentit historik më në fund i është dërguar Arkivit Shtetëror.
Pas kërkimeve të pafrytshëm për më shumë se një vit në zyrat shtetërore për dokumentin, qeveria së fundmi e fundit e zbuloi atë në një vend shumë të pazakontë – në shtëpinë e mjekut nga qyteti veriperëndimor i Tetovës, Ilir Ljuma, një ish-anëtar i Partisë shqiptare etnike për Prosperitet Demokratik, i cili ishte një nga nënshkruesit e marrëveshjes.
Dokumenti u mor “falë ndërgjegjes së madhe të Ilir Ljumës nga Tetova, një anëtar i PDP-së i cili është kujdesur për këtë dokument në shtëpi, duke parashikuar pakujdesinë e të gjitha institucioneve dhe partive politike që nuk e arkivuan këtë dokument”, tha zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.
Në vitin 2001, Ljuma po merrte pjesë në ngjarjen zyrtare të nënshkrimit në Ohër, dhe më vonë e mori këtë dokument nga zyrat e PDP-së, e cila është partia më e vjetër politike etnike shqiptare në vend. Ajo u formua në 1990 dhe për një kohë të gjatë ishte një nga lojtarët kryesorë politikë në Maqedoninë e Veriut, por pas një sërë rezultatesh të këqija, partia pushoi së ekzistuari në vitin 2017.
Ljuma së fundmi ia dorëzoi dokumentin, i cili mbahej në gjendje të mirë, qeverisë, e cila këtë javë e dërgoi në Arkivin Shtetëror.
“Dokumenti origjinal i Marrëveshjes së Ohrit ka rëndësi për vendin tonë si një nga dokumentet nga historia jonë e afërt që ofron perspektiva për zhvillim në çdo mënyrë. Ne do ta mbajmë dokumentin origjinal këtu, do ta digjitalizojmë dhe do të mundësojmë qasjen për ta parë atë dhe do ta vëmë në dispozicion për të gjithë ata që interesohen për historinë dhe detajet që përmban dokumenti”, tha kreu i Arkivit Shtetëror, Emil Krsteski.
Marrëveshja e Ohrit i dha fund konfliktit të shkurtër të armatosur midis kryengritësve etnikë shqiptarë dhe forcave të sigurisë të Maqedonisë së Veriut në 2001.
Marrëveshja u nënshkrua nga presidenti i atëhershëm i Maqedonisë, Boris Trajkovski, dhe katër partitë kryesore në atë kohë – Social Demokratët, VMRO-DPMNE, Partia Demokratike e Shqiptarëve dhe PDP-ja. Ajo u nënshkrua nga dy garantues ndërkombëtarë, një në emër të BE-së dhe një nga SHBA-ja.
Marrëveshja parashikonte shpërbërjen e grupit kryengritës që luftoi në konflikt, Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, UÇK, e cila tha se po luftonte për të drejtat e shqiptarëve etnikë.
UÇK-ja më vonë u transformua në Bashkimin Demokratik për Integrim, BDI, parti e cila edhe sot e kësaj dite mbetet partia më e madhe etnike shqiptare në vend dhe tani është pjesë e qeverisë.
Sipas marrëveshjes, vendi mbajti karakterin e tij unitar, në krahasim me bërjen federale, por kushtetuta u ndryshua dhe diskriminimi pozitiv ndaj popullsisë etnike shqiptare u prezantua në sektorin publik, ushtrinë dhe policinë.
Gjithashtu u lejua përdorimi më i gjerë i flamurit dhe gjuhës shqipe, krahas masave të tjera.
Njëzet vjet më vonë, të gjithë lojtarët kryesorë politikë pajtohen se pavarësisht vështirësive të herëpashershme në zbatimin e saj, të gjitha dispozitat e Marrëveshjes së Ohrit janë zbatuar, përfshirë punësimin e planifikuar të më shumë stafi nga pakicat etnike në zyrat shtetërore, polici dhe ushtri, e deri te përmbushja e objektivave për përfaqësim të barabartë.
Shqiptarët etnikë përfaqësojnë afërsisht një të katërtën e popullsisë së Maqedonisë së Veriut e cila përbëhet nga pak më shumë se dy milionë banorë.
Shënimi i përvjetorit të këtij viti do të jetë relativisht i ulët për shkak të pandemisë COVID-19.
Në mes të shtimit të infektimeve, qeveria në fillim të kësaj jave u detyrua të anulojë një koncert gala për të shënuar këtë event, por një sërë debatesh dhe një konferencë po mbahen ende të premten në Shkup, ku morën pjesë presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski dhe të ftuar ndërkombëtarë.