Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Me parakalimin e veturave u mbajt sot "Parada e Krenarisë" në Prishtinë

30 vetura të mbuluara me flamuj të komunitetit LGBTI parakaluan sot në rrugët e  Prishtinës për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të komunitetit LGBT.

Persona nga komuniteti, përkrahës, aktivistë e zyrtarë dolën që të shënojnë këtë ditë në kushte pandemie.

Lendi Mustafa nga Qendra për Barazi dhe Liri të Komunitetit LGBTI (CEL) tha për KALLXO.com se për shkak të masave kundër përhapjes së pandemisë këtë vit paradën e mbajnë vetëm sot, me parakalimin e 30 veturave, me nga tre persona brenda.

“Për ne ka qenë shumë me rëndësi ta shënojmë Ditën e Krenarisë, ta zhvillojmë Paradën në këtë formë apo një tjetër” tha Mustafa.

Mustafa tha se për idenë e realizimit të paradës në këtë formë janë frymëzuar nga parada e mbajtur në Bosnjë dhe Hercegovinë.

 

 

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ndërsa, se sa po pranohet ky komunitet në shoqëri Mustafa tha se njerëzit kanë filluar të vetëdijësohen, por vetëm në zonën e kryeqytetit.

“Po mendoj që ka filluar të vetëdijësohen njerëzit në Kosovë për të drejtat e komunitetit LGBTI, por vetëm brenda Prishtinës. Sepse në qytete tjera e në zona rurale është krejt ndryshe” tha ai.

Sipas tij ende ka kërcënime ndaj komunitetit LGBT dhe se do të ketë  për një kohë derisa  të ndërrojë mendësia në Kosovë.

Slogani  “Po, du”,  i bashkoi ata për të kërkuar të drejta të barabarta, drejtësi për vendimet e kodit civil lidhur me përjashtimin e martesave të seksit të njëjtë.

Kjo është hera e katërt që ky komunitet ka mbajtur paradën në kryeqytet edhe pse në kushte tjera para pandemisë.

Vitin e kaluar parada u mbajt në sheshet e Prishtinës nën moton “Për kon t’rreh zemra.”

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com