Me moton ‘Planeti ynë, shëndeti ynë’, shënohet Dita Botërore e Shëndetit

Ministria e Shëndetësisë ka shënuar sot 7 prillin, “Ditën Botërore të Shëndetit”.

Kjo ditë shënohet në gjithë botën që nga viti 1950.

Arsim Berisha, zëvendësministër i Shëndetësisë tha se e drejta e secilit njeri për shëndet është një e drejtë themelore dhe universale, por që në disa raste cenohet për shkak të mënyrës së jetesës dhe kushteve jetësore.

“Kjo e drejtë cenohet nga shkaqe e faktorë të ndryshëm që ndikojnë mbi shëndetin, përfshirë faktorët mjedisor si ndryshimet e klimës, ajri i ndotur, djegia e lëndëve djegëse, furnizimi i dobët me ujë kualitativ, qasja jo-adekuate në rrjetet e kanalizimit, derdhja e ujërave të zeza, dietat jo të shëndetshme dhe përdorimi i alkoolit dhe ushqimit jo të shëndetshëm dhe faktorë të tjerë”, ka thënë Berisha.

Berisha ka deklaruar po ashtu se Ministria ka miratuar Planin e veprimit për promovim dhe edukim shëndetësor (2021) që synon promovimin e mënyrës së shëndetshme të jetesës dhe krijimin e shprehive, të cilat kanë ndikim në ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit të qytetarëve.

Në shënimin e Ditës Botërore të Shëndetit ka marrë pjesë edhe Naser Ramadani, drejtor i IKSHPK-së, i cili tha se mbi 90% e njerëzve thithin ajër të papastër që vjen nga djegia e lëndëve djegëse si thëngjilli, nafta, lëndë djegëse të kemikaleve të tjera.

Shef i Zyrës së OBSH-së në Kosovë, Oleksander Martynenko, tha se këtë Ditë Botërore të Shëndetit, OBSh po bën një thirrje urgjente për veprime të përshpejtuara nga drejtuesit dhe të gjithë njerëzit për të ruajtur dhe mbrojtur shëndetin dhe për të zbutur krizën klimatike.

“Në kohën e konfliktit të shtuar dhe brishtësisë që ne jemi përvoja në Evropë, po e përjetojmë më qartë se kurrë se  gjithçka është e ndërlidhur: problemet, zgjidhjet dhe ne, njerëzit që i shkaktojnë ato, që vuajnë prej tyre dhe që mund të bëjmë një ndryshim pozitiv”, tha ai.

Në Ditën Botërore të Shëndetit u është bërë thirrje qytetarëve të pa-vaksinuar që të vaksinohen me vaksinën kundër COVID-19 dhe të mos e ulin kujdesin për shkak se pandemia nuk ka përfunduar ende.