Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Me mjet shpërthyes, tentohet të grabitet një bankomat në Veternik

Me mjet shpërthyes është tentuar të kryhet një vjedhje mëngjesin e sotëm në një bankomat në lagjen Veternik.

Policia e Kosovës orët e para të mëngjesit të sotëm ka regjistruar një tentim vjedhje në lagjen Vetërnik.

Sipas Zëdhënëses së Policisë së Rajonit të Prishtinës, Florie Ahmeti-Haziraj, fillimisht rreth orës 5 e 30 të mëngjesit, është aktivizuar një alarm i një banke në një qendër tregtare në lagjen Veternik në Prishtinë.

“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni strukturat rajonale për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh operative dhe hetimore”, tha Ahmeti për KALLXO.com.

Tutje ajo shtoi se nga hetimet e para po dyshohet se rasti i vjedhjes ka mbetur në tentativë.

“Dyshohet se një rast vjedhje ka mbetur në tentativë, e njëjta është tentuar të realizohet duke dëmtuar një bankomat të një banke, me një mjet shpërthyes”, ka shtuar Ahmeti.

Sipas Ahmetit, derisa ekzaminimi po vazhdon në vendngjarje, hetuesit policor janë duke punuar në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar.