Policia/Ilustrim

Me maskë për COVID-19 kryen grabitje në institucion mikrofinanciar

Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të grabitjes që ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Prishtinë.

Sipas njoftimit, dje rreth orës 12:30, një grua ka raportuar në polici se derisa ishte në vendin e saj të punës, në një institucion mikrofinanciar, aty kishte shkuar një person me maskë kundër COVID-19 në fytyrë, pa e ekspozuar ndonjë armë dhe i ka marrë para.

Viktima e këtij rasti nga frika, të dyshuarit i kishte dhënë paratë dhe më pas i dyshuari ishte larguar në këmbë nga vendi i ngjarjes.

Njësitet policore kanë dal në vendin e ngjarjes, ndërsa lidhur me rastin është njoftuar prokurori.

Nuk raportohet për ndonjë person të arrestuar në lidhje me këtë rast.