Me Ligjin e ri do të ketë ulje të pagave për menaxhmentin e Zyrës Kombëtare të Auditimit

Drejtori i Departamentit Ligjor në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA), Safet Berisha, ka numëruar disa nga mangësitë që i ka Ligji i pagave në raport me ZKA-në.

Në emisionin “Jeta në Kosovë”, ku është trajtuar punësimi në institucionet publike, Berisha ka thënë se me Ligjin e ri të pagave do të ketë ulje të pagave për menaxhmentin.

“Në raport me ZKA, ligji i pagave është analizuar në dy aspekte, te ulja e pagave për menaxhmentin e lartë të zyrës duke përfshirë auditorin e përgjithshëm, zëvendës auditorin e përgjithshëm dhe ndihmës auditorin e përgjithshëm”, është shprehur Berisha.

Më tej, Berisha ka theksuar se me këtë ligj auditorët klasik do të kenë nivelin aktual të pagës por që me ligjin e ri nuk janë paraparë dy pozita, auditorët specialistë dhe niveli i mesëm drejtues, që është pozitë e barasvlershme me udhëheqësin e divizionit.

Ligji i ri i pagave është miratuar këtë vit në Kuvendin e Kosovës, dhe ka hyrë në fuqi që nga 1 dhjetori.

Në emisionin Jeta në Kosovë, ku është trajtuar tema e punësimit në institucionet publike kanë qenë të ftuar, Naser Shamolli, drejtor i Zyrës Ligjore në MAP; Driton Selmanaj nga LDK, Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, Burim Tahiri, këshilltar i lartë në Institucionin e Avokatit të Popullit; Safet Berisha, drejtor në Departamentin Ligjor në ZKA dhe Visar Rushiti nga Demokracia Plus.

Në pjesën e parë të emisionit Jeta në Kosovë, përballë Jeta Xharrës ka qenë i ftuar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Mustafa foli për shumë tema të aktualitetit politik, përfshirë bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e qeverisë së ardhshme.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: