Pjesa ku ulej Lista Serbe, Foto: KALLXO.com

Me këta deputetë do të përfaqësohet Lista Serbe në Kuvend

Partia e cila do t’i përfaqësojë serbët e Kosovës në Kuvend, Lista Serbe në këtë legjislaturë do t’i ketë 10 deputetë.

Sipas rezultateve finale të KQZ-së, kandidatja më e votuar e kësaj partie është Jasmina Dedic me 19 mijë e 703 vota. Pas saj është Milos Perovic me 17 mijë e 276 vota dhe e treta është Verica Ceranic me 17 mijë e 65 vota.

Igor Simic një prej figurave kryesore të kësaj partie, sipas votave që ka marrë në këto zgjedhe është renditur i katërti me 16 mijë e 566 vota.

Kandidatët e tjerë që kanë siguruar ulëse në Kuvend janë: Zoran Mojsilovic me 15 mijë e 386 vota, Ivan Todosijevic me 14 mijë e 894 vota, Miljana Nikolic me 14 mijë e 790 vota dhe Branilsav Nikolic me 14 mijë e 467 vota.

Ky i fundit ishte këshilltar i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ishte shkarkuar pasi që ishte raportuar se Nikoliq ishte anëtar i shërbimit sekret serb, BIA.

Kurse dy kandidatët me më pak vota, por që janë zgjedhur deputetë janë: Ljubinko Karadzic i cili ka marrë 14 mijë e 354 vota dhe Slavko Simic me 14 mijë e 231 vota.

Në krahasim me zgjedhjet e kaluara, Lista Serbe këtë vit ka siguruar një ulëse më shumë në Kuvendin e Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, një muaj pas zgjedhjeve nacionale ka shpallur rezultatet finale. Kjo parti në zgjedhjet e 6 tetorit mori 57,015 vota apo 6,754%.

Pas rezultateve të zgjedhjeve, ky është rrugëtimi deri në krijimin e Qeverisë së re

www.kallxo.com