Seanca lidhur me kontekstin për tokën mes Universitetin e Prishtinës dhe Kishës Ortodokse

Me kërkesë të UP-së shtyhet seanca gjyqësore për kontestin e tokës me kishën

Është shtyrë seanca e paraparë të mbahet sot lidhur me kontestin gjyqësor mes Universitetit të Prishtinës dhe Kishës Ortodokse.

Esat Kelmendi, Sekretar i Universitetit të Prishtinës, e cila ka paditur Kishën Ortodokse për pronësinë e parcelës së tokës në kampusin e universitetit, sot bëri kërkesë të shtyhet seanca për arsye të mungesës së provave.

Kelmendi kërkoi kohë që të sigurojë prova se si është bërë kalimi i të drejtës së pronësisë prej Komunës së Prishtinës tek Kisha Ortodokse.

“Ne kemi mungesë të dokumentacionit në kadastër, ku mungojnë librat kadastralë që dëshmojnë se si është regjistruar pronësia e tokës dhe kalimi i të drejtës së shfrytëzimit të tokës prandaj na duhet kohë për të siguruar këto prova” , tha Kelmendi.

Kisha e pa funksionalizuar e cila u ndërtua në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit në vitet 1990-ta, u bë shkas i disa protestave dhe pakënaqësive, kryesisht nga studentët e Universitetit të Prishtinës.

Ky rast fillimisht është paraqitur në Gjykatën Themelore të Prishtinës në vitin 2012 nga Universiteti i Prishtinës nën pretendimin se Kisha Ortodokse Serbe kishte uzurpuar pronën e Universitetit.

Më tej, tek në vitin 2015, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte nxjerrë vendim me të cilin ishte konsideruar e tërhequr padia e parashtruar nga Universiteti me arsyetimin se nuk ishin paraqitur si paditës në seancën kryesore të ftuar nga Gjykata.

Të pakënaqur ndaj këtij vendimi me arsyetimin se nuk e kishin pranuar ftesën e Gjykatës sepse ditën kur ka arritur ftesa ka pasur protesta para Rektoratit, Universiteti ushtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila po ashtu në tetor të vitit 2017 e refuzoi ankesën dhe vërtetoi vendimin e Themelores.

Kështu, Universiteti i Prishtinës në nëntor të vitit 2017, dorëzoi përsëri në Gjykatën Themelore të Prishtinës padinë e re lidhur me çështjen e njëjtë juridike –  ngastrën kadastrale nr.07090-14 në sipërfaqe të përgjithshme mbi 4 hektarëshe.

Universiteti i Prishtinës pretendon se këtë pronë e ka pasur në shfrytëzim të lirë dhe të papenguar nga dhjetori i vitit 1975 dhe se e njëjta ka qenë pjesë e kampusit të universitetit.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me rrjedhën e këtij gjykimi ndërsa seanca e fundit lidhur me këtë rast ishte paraparë të mbahej më datë 1 mars të këtij viti mirëpo kishte dështuar të mbahej për shkak se Gjykata nuk u kishte dërguar me kohë ftesat palëve.

Dështon seanca për kontestin mes Universitetit të Prishtinës dhe Kishës Ortodokse, gjykata nuk ua dërgoi ftesat palëve