Me kërkesë të prokurores, shtyhet seanca në rastin 'Toka 2'

Rasti i njohur si “Toka 2” në të cilin të akuzuar janë Avni Maxhuni, Nexharije Hoti, Mehmet Prishtina dhe Dukagjin Emërllahu për krim të organizuar, ka dështuar që të mbahet.

Në këtë seancë ishte paraparë që të dëgjohet dëshmitari Vehap Hashani mirëpo me kërkesën e prokurores seanca është shtyrë për datë tjetër.

Prokurorja shtyrjen e kërkoi me arsyetimin se ishte e angazhuar në një rast tjetër me urgjencë.

Fillimisht në këtë seancë mbrojtësi i të akuzuarit Mehmet Prishtina, avokati Skender Musa kërkoi veçimin deklaratave të dëshmitarit të cilat i kishte dhënë në cilësinë e të dyshuarit.

Lidhur me këtë kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismajli njoftoi se do të vendosë në seancën e ardhshme.

Avni Maxhuni, Nexharije Hoti, Mehmet Prishtina dhe Dukagjin Emërllahu akuzohen se nga viti 2009 deri në vitin 2014 si grup kriminal kishin kryer vepra të rënda penale me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore.

Aktakuzat ndaj këtij grupi lidhen me keqpërdorim pronash të komunave të Prishtinës dhe Graçanicës.
Bëhet fjalë për 36 hektarë toke komunale të shitur me çmim shumë të ulët në krahasim me çmimin real të tregut.

Sipas prokurorisë veprat ishin kryer ashtu që e akuzuara Nexharije Hoti në cilësinë e gjyqtarës në Gjykatën Komunale, në mënyrë të kundërligjshme kishte aprovuar padinë e Dukagjin Mehmetit për të drejtat pronësore të mbi 45 ngastrave me sipërfaqe prej 36 hektarë.

Mehmet Prishtina akuzohet se ishte organizator i këtij grupi ndërsa bashkë me Avni Maxhunin dhe Nexharije Hotin akuzohen për falsifikim të dokumenteve zyrtare dhe shpërlarje të parave.

Për ndihmë në kryerjen e veprës së nxerjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore ata akuzohen bashkë me Dukagjin Emërllahu.

Në këtë rast të akuzuar kanë qenë edhe 17 persona të tjerë për të cilët është hudhë aktakuza.

Ky rast është ndarë në 3 pjesë ku në pjesën e parë, në mesin e të akuzuarëve është edhe ish – deputeti i PDK-së Azem Syla.