Më kërkesë të prokurores shtyhet seanca ndaj ish-kryeshefit të PTK-së, Agron Mustafa
Seanca ndaj Agron Mustafës, i akuzuar se i ka shkaktuar dëme PTK-së në vlerë prej mbi 6 milionë euro si ish kryeshef i PTK-së për lidhje të kontratës së dëmshme, nuk ka arritur të mbahet të mërkurën më 19.09.2024.
Sipas aktakuzës, Mustafa, që nga 16 marsi i vitit 2015 e tutje, ka vepruar në dëm të ndërmarrjes, duke i ka shkaktuar dëme Telekomit të Kosovës në vlerë prej mbi 6.7 milionë euro.
Arsyeja se pse nuk ka arritur të mbahet seanca është pasi prokurorja, Ardiana Veseli deklaroi para gjyqtarit Sabit Sadikaj, se nuk ka shumë kohë që e ka pranuar këtë lëndë për trajtim.
“Këtë lëndë sapo e pranova, prandaj kërkoj që kjo seancë të shtyhet”- tha prokurorja Ardiana Veseli.
Vërejtje për këtë propozim nuk pati as nga ana e mbrojtjes së të akuzuarit Agron Mustafa dhe as nga pala e dëmtuar PTK-së.
Ky propozim u aprovua nga gjyqtari Sabit Sadikaj, dhe seanca u shtye për datë tjetër.
Çfarë thotë dosja e prokurorisë?
Sipas aktakuzës së datës 03.05.2023 i pandehuri Agron Mustafa akuzohet se më datë 16.03.2015 në Prishtinë në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, ka lidhur kontratë-marrëveshje me Paykos L.L.C, ku Operatori Ekonomik luan rolin e ndërmjetësuesit/distributorit të shitjes tek pala e tretë për shitjen e produkteve kryesisht mbushje elektronike dhe kode te gjeneruara elektronike për kartela gërvishtëse, çmimet e produkteve dhe shërbimeve kanë përfshirë edhe TVSH-në ku provizioni total i shitjes ishte 9.7% të transaksionit.
Ndryshe, më datë 09.01.2024 ishte mbajtur seanca fillestare ndaj të akuzuarit Agron Mustafa në të cilën i pandehuri Agron Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale për të cilën akuzohet nga prokuroria.
Tutje, sipas dosjes së prokurorisë i pandehuri Agron Mustafa me dashje dhe me qëllim që t’i shkaktoj dëm material Ndërmarrjes Publike Telekomit të Kosovës (TK-së) ka nënshkruar vazhdimisht anekse shtesë ku secili lloj i provizionit që do të paguhet ndaj Operatorit Ekonomik i është shtuar përqindja në TVSH duke e favorizuar kështu Paykos-in në njërën anë e në anën tjetër e ka dëmtuar Telekomin e Kosovës, duke lidhur anekse, memorandum të mirëkuptimit, marrëveshje komerciale shtesë të datave të ndryshme të kontratës së lartcekur duke ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të ndërmarrjes.
Sipas dosjes së prokurorisë të dëmshme janë cilësuar Aneksi II, Aneksi III, Aneksi V, Memorandum i vitit 2016, Aneksi VI dhe Marrëveshja Komerciale bashkëpunimi-ofrimin e shërbimeve për lojë shpërblyese.
Tutje, sipas aktakuzës i pandehuri Agron Mustafa po akuzohet se me lidhjen e këtyre ankesave-marrëveshjeve, me dije ka vepruar në dëm të ndërmarrjes që vazhdimisht i ka ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të ndërmarrjes që ka përfaqësuar, në vend që t’i mbrojë interesat e ndërmarrjes për llogari të së cilës lidhë kontratë, i pandehuri me dashje i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe Telekomit të Kosovës, ku vlera e dëmit është 6,796,732 euro.
Me këto veprime i pandehuri Agron Mustafa po akuzohet se ka kryer veprën penale në vazhdimësi Lidhja e Kontratës së dëmshme.
KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për kontratën e lidhur mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë “Paykos” dhe dëmet e pretenduara nga kjo kontratë.
Historikun e kontratës me “Paykos” e gjeni në këtë LINK.
Raportimet e tjera në lidhje me këtë rast mund t’i gjeni në këtë LINK.