Me kërkesë të prokurores shtyhet gjykimi për kanosje

Gjykimi ndaj Bedri Berishës, i cili po akuzohet se ka kanosur vëllain e tij Blerim Berishën, për shkak të një mosmarrëveshjeve pronësorë, ka dështuar të mbahet me kërkesë të prokurores.

Prokurorja Fikrije Sylejmani, e cila në këtë rast ishte prokurore zëvendësuese kërkoi nga gjykata që seancën e sotme ta shty, me arsyetimin se nuk është prokurore e rastit.

“Meqenëse këtë aktakuzë e ka ngrit Edita Jupolli,e cila sot nuk është ne pune dhe unë e kam marre me përfaqësua sot dhe me meqenëse sot është fazë e shqyrtimi gjyqësorë kërkoj te shtyhet gjykimi”, tha prokurorja Sylejmani.

Kurse përfaqësuesi i të dëmtuarit avokati Argjend Tigani, nuk u pajtuar me propozimin e prokurores, i cili tha se një neglizhencë nga ana e prokurorisë dhe gjykatës është e pa pranueshme.

“E kuptoj pozicionin e prokurores tani që gjendet në ketë seancë e cila është në zëvendësim e  Edita Jupollit, mirëpo ne nuk e shohim të arsyeshme shtyrjen kësaj seance për faktin se edhe në seancën e kaluar e që është mbajtur tash një vit dhe një neglizhenca e tillë nga ana e institucioneve tona është e pa pranueshme. Sepse i dëmtuari tani për vetëm që është dëmtuar me vepër penale, tani po dëmtohet edhe më shumë nga neglizhenca e institucioneve gjykatës dhe prokurorisë”, tha avokati.

Më pas gjykatësi Alban Ajvazi, reagoi duke thënë se këtu nuk ka të bëjë me neglizhencë.

“Nuk ka të bëjë me neglizhencë gjykata është duke gjykuar lëndët e vitit 2013-2014, ndërsa kjo lëndë është e vitit 2018, dhe ka hy në rend”, tha gjykatësi Ajvazi.

Pas propozimit të prokurores së shtetit dhe marrjes së mendimit të palëve gjykatësi Ajvazi mori vendim me ç’rast aprovoi propozimin e prokurores  dhe seancën e radhës e caktoi për datën  5 shkurt.

Sipas aktakuzës Bedri Brisha me date 15.12.2018, rreth orës 11:30, në rrugën “Haxhi Zeka”, në Prishtinë për shkak të një mosmarrëveshje paraprake që kishte ndodhur në mes të pandehurit dhe tani të dëmtuarit Blerim Berisha, lidhur me mosmarrëveshjet pronësore, përkatësisht me ndërrimin e kornizës së lokalit të të dëmtuarit, dhe duke pretenduar se punimet po kryhen në lokalin e tij, e ka kanosur seriozisht të dëmtuarin duke iu drejtuar me fjalët kërcënuese, ”pa te vra në ketë vend se la, ska me ta mbrri ymri mej ndrru kornizat e lokalit”, kam me ta kallë shtëpinë”, me çka tek i dëmtuari ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe të pasigurisë përjetë.

Për këtë prokuroria e akuzon për veprën penale “Kanosje”.