ME: Institucionet relevante po monitorojnë keqpërdorimet potenciale të çmimeve të subvencionuara

Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se të gjitha institucionet relevante janë gati për të monitoruar çmimet mbi pajisjet efiçiente të energjisë, të cilat ekzekutivi kosovar mori vendim të subvencionohen.

“Institucionet relevante për monitorim të tregut, përfshirë këtu Inspektoratin e Tregut, janë duke monitoruar në terren keqpërdorimet potenciale të çmimeve të pajisjeve efiçiente të energjisë, të cilat janë duke u subvencionuar nga Ministria e Ekonomisë” – thuhet në njoftim.

Për rastet e mundshme të keqpërdorimeve, ME ka ftuar qytetarët që t’i raportojnë ato.

“Që në hartim të masave të Subvencionimit të pajisjeve efiçiente, Ministria e Ekonomisë është duke punuar ngushtë me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e cila ka në mbikëqyrje Inspektoratin e Tregut. ME ka kërkuar gjithashtu angazhimin e Autoritetit të Konkurrencës, që ka kompetencë për të hetuar dhe për të parandaluar kartelet dhe keqpërdorimin e pozitës dominuese” – thuhet tutje në njoftim..

Ministria e Ekonomisë fton qytetarët që në rastet kur vërejnë manipulime me çmimet, ose parregullsi të tjera, që të raportojnë rastet te Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, përmes faqes https://konsumatori.rks-gov.net ose numrit të telefonit pa pagesë: 0800 11 000.